Mazhoranca po e shet si sukses një tjetër borxh, këtë herë në vlerën e 302 milionë dollarëve nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Kuvend ka nisur shqyrtimi i marrëveshjes së huasë direkte për financim të jashtëm ushtarak.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla e cilësoi marrëveshjen si një moment historik, duke e paraqitur si provë të besimit që SHBA-të kanë ndaj Shqipërisë, ndërsa theksoi se fondet do të përdoren vetëm për modernizimin e kapaciteteve ushtarake.
“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Shqipëria ka një angazhim të shtuar në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Shqipëria mbështet objektivin e ri për të arritur objektivin 5% të NATO-s. Siguria dhe mbrojtja janë prioritete strategjike.
Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajijsje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s. Financimi do të disbursohet gradualisht sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 muaj. Çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë”, tha Balla.
Lëvizja vjen në një moment kur Tirana kërkon të përmirësojë me shpejtësi treguesit e saj të mbrojtjes dhe të tregojë se është e gatshme të përmbushë angazhimet ndaj NATO-s. Shqipëria është nën presion për të rritur shpenzimet reale ushtarake, ndërsa janë ngritur pikëpyetje brenda Aleancës për nivelin e ulët të financimit të mbrojtjes dhe për organizimin e samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.
Qeveria ka parashikuar gjithashtu një rritje shtesë të buxhetit të mbrojtjes gjatë vitit 2026, duke synuar që shpenzimet e deklaruara për sigurinë dhe mbrojtjen të arrijnë rreth 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, jo e gjithë kjo përqindje përfaqëson domosdoshmërisht shpenzime të drejtpërdrejta ushtarake.
Marrëveshja prej 302 milionë dollarësh përbën një nga angazhimet më të mëdha financiare të ndërmarra nga Shqipëria për modernizimin e ushtrisë. Për shkak se financimi merret në formën e huas, kostoja përfundimtare do të rëndojë mbi borxhin publik dhe buxhetet e ardhshme të shtetit.
Lini një Përgjigje