Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas incidentit të regjistruar në Kuvend, ku u pa duke marrë dokumentin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për huanë prej 302 milionë dollarësh dhe duke u larguar me të nga salla.
Në një deklaratë për mediat, Shehaj shpjegoi se veproi në përputhje me procedurën e njoftuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Sipas tij, pasi firmosi deklaratën e konfidencialitetit, mori dokumentin për ta lexuar dhe më pas u largua.
“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama", tha ai.
Shehaj shtoi se, pasi u njoh me përmbajtjen e dokumentit, e riktheu atë në zyrën ku e kishte marrë, duke theksuar se marrëveshja nuk ka dalë jashtë ambienteve të Kuvendit.
“Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje sekrete dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje.”, u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i Partisë Mundësia bëri të ditur se forca politike që ai drejton do ta mbështesë marrëveshjen në parim, por kundërshton mënyrën se si po trajtohet ajo në Kuvend.
“Ne në parim, jemi pro marrëveshjes, por jemi kundër procedurës që po ndiqet nga Kuvendi”, deklaroi Shehaj.
Lini një Përgjigje