Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, hodhi akuza të forta ndaj mazhorancës pas zhvillimeve të sotme në seancën e sotme parlamentare dhe ngjarjeve jashtë sallës së seancës plenare.
Duke komentuar kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e tij me 60 ditë nga Kuvendi, Shehaj akuzoi mazhorancën se synon ta largojë nga jeta parlamentare dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
"Nuk dorëzohemi. Lufta jonë vazhdon. Do të kishim dashur që shfaqje të tilla mos të kishin ndodhur, por të bësh opozitë nuk është e lehtë. Të bësh opozitë duhet që në mënyra të ndryshme të kërkojmë hapësirat tona. Po kërkojmë që të bëjmë opozitë, pavarësisht sjelljes së kësaj mazhorance.
Është kërkesa e 4 në 5 muaj për të më përjashtuar nga Kuvendi. E di se çfarë ka vendosur Taulant Balla dhe Rama. Do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Përjashtimi 60 ditë është bërë për ata që hedhin mjete tymëse. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Nuk do të ndalemi, do të bëjmë opozitë. Prokurorët e SPAK do të hetojnë dhe zbulojnë se kush kanë marrë pjesë në pengimin tim në seancën e kaluar. Nuk mund të heshtim. Protestuesit kanë 60 ditë që protestojnë", u shpreh ai.
Shehaj reagoi edhe ndaj miratimit të marrëveshjes së huas me Shtetet e Bashkuara, duke hedhur akuza të ashpra ndaj shumicës parlamentare, të cilën e cilësoi "servile" dhe "të korruptuar".
"Këta janë një tufë të korruptuar që duan të vazhdojnë të vjedhin. Ai dokument nuk kishte detaje, është dokument publik. Por këta për ta bërë më interesante, për t'u bërë servila, tregojnë me gjasme që po i mbështet Amerika. Pasi ata janë hajdutë dhe vjedhin popullin e vetë", deklaroi Shehaj.
Lini një Përgjigje