PD bojkoton seancën për huanë 302 milionë dollarë me SHBA, akuzon mazhorancën për shkelje të të drejtave të deputetëve.
Partia Demokratike ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk do të jetë pjesë e seancës plenare të orës 15:00, ku pritet të hidhet në votim marrëveshja e huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin e pajisjeve ushtarake.
Vendimi i opozitës vjen pas përplasjes së fortë me mazhorancën lidhur me mënyrën e trajtimit të dokumentit të marrëveshjes. Demokratët deklarojnë se janë në parim mbështetës të kësaj marrëveshjeje, por kundërshtojnë procedurën e ndjekur nga qeveria dhe shumica parlamentare për miratimin e saj me urgjencë, pa u krijuar mundësia që deputetët të njihen në mënyrë të plotë me përmbajtjen e dokumentit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se problemi nuk lidhet me vetë marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, por me mënyrën se si mazhoranca ka zgjedhur ta sjellë atë për votim në Kuvend.
Sipas Bardhit, praktika e vendosur nga kryetari i Kuvendit, ku deputetët lejohen të njihen me tekstin e marrëveshjes vetëm përmes një leximi të kontrolluar në grup, brenda ambienteve të Kuvendit, përbën një kufizim të të drejtave kushtetuese të deputetëve.
“Praktika e vendosur nga Kryetari i Kuvendit, sipas së cilës deputetët duhet të njihen me tekstin e marrëveshjes përmes një leximi në grup, brenda ambienteve të Kuvendit, është poshtëruese dhe bie ndesh me statusin kushtetues të deputetit. Kuvendi ka detyrimin t’u vërë në dispozicion deputetëve të gjithë dokumentacionin parlamentar”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.
Sipas opozitës, një marrëveshje ndërkombëtare, edhe në rastet kur përmban elementë konfidencialë apo të klasifikuar, nuk mund të votohet nga deputetët pa pasur mundësi reale për ta shqyrtuar atë.
PD argumenton se nëse përmbajtja e dokumentit kërkon ruajtjen e sekretit, ekzistojnë mekanizma ligjorë që mund të garantojnë konfidencialitetin, pa cenuar të drejtën e deputetëve për t’u informuar.
“Megjithatë, shumica parlamentare refuzon ta ndjekë këtë praktikë, duke i kërkuar Kuvendit të votojë një marrëveshje me përmbajtje të panjohur për deputetët dhe pa u dhënë atyre mundësinë ta shqyrtojnë atë”, vijon deklarata.
Partia Demokratike ka theksuar se nuk është kundër marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar atë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe përmbushjen e angazhimeve të vendit në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Megjithatë, demokratët kërkojnë që procesi i votimit të zhvillohet vetëm pasi deputetët të kenë pasur mundësinë të njihen me dokumentacionin e plotë dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në mënyrë të informuar.
“Për këto arsye, deklarojmë se nuk do të marrim pjesë në një seancë plenare të thirrur në kundërshtim me Kushtetutën”, përfundon deklarata e Bardhit.
Lini një Përgjigje