TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Korrik 2026, 12:29

Italia kërkon hetimin e Andrea Çaushit që trafikoi 3.8 ton drogë; SPAK hesht, ndërsa Edi Rama i dha Kalanë e Lëkurësit

Shkruar nga Pamfleti
Italia kërkon hetimin e Andrea Çaushit që trafikoi 3.8 ton
Andrea Çaushi

Prokuroria e Siçilisë dhe Anti-mafia Italiane kanë kërkuar prej 4 vitesh hetimin e përbashkët të Andrea Çaushit, i arrestuar në 2017 për 900 kg drogë, por i lirë pas 1 muaji. Ai ka trafikuar 3.8 tonë drogë drejt Italisë (2014-2022). Rama i ka dhënë Kalanë e Lëkurësit, leje hotele e pallate në 6 qytete. Pasuria: 5 hotele, 18 apartamente, 3 lokale, 4 dyqane, 1 palestër e 11 garazhe...

Edhe për 6 muajt e parë të vitit 2026, raporti i SPAK-ut është mbushur me shifra arritjesh në goditjen e krimit të organizuar të trafikut të drogës, sekuestrimit të pasurive të paligjshme dhe bllokimit të miliardave që pastrohen në aktivitete biznesi të licencuara nga qeveria.

Por brenda statistikave të SPAK-ut mungon emri i Andrea Çaushit alias Renato Çaushi nga Tepelena, me disa dosje për aktivitet kriminal ndërkombëtar droge me grup të strukturuar, pengmarrje, gjobëvënie ndaj biznesmenëve, rrëmbim personi dhe plagosje në tentativë vrasjeje.

Prej 6 vitesh, SPAK nuk heton Andrea Çaushin, megjithëse ka marrë dosjet e plota për të nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe prokuroritë e rretheve; madje disa nga prokurorët e SPAK-ut kanë qenë ish-prokurorë të krimeve të rënda që e kanë pasur subjekt hetimi.

Partnerët ndërkombëtarë, konkretisht Prokuroria e Siçilisë dhe Anti-mafia Italiane, gjatë viteve 2022-2024 i kanë kërkuar SPAK-ut hetimin dhe sekuestrimin e pasurive të trafikantit Andrea Çaushit alias Renato Çaushi, të shoqëruar me dosje provash nga aktiviteti i tij në trafikimin e drogës e krime të tjera.

Në informacionin që ka marrë "Pamfleti" nga burime brenda SPAK-ut e BKH-së, thuhet se edhe më 19 shkurt 2026, Prokuroria e Siçilisë dhe Anti-mafia e Italisë i kanë kërkuar SPAK-ut hetimin e përbashkët të trafikantit Andrea Çaushi.

Por edhe këtë herë, SPAK nuk i ka ofruar bashkëpunim partnerëve italianë, me justifikimin se nuk ka prova krimi në Shqipëri, kur për Andrea Çaushin, vetë SPAK-u dhe prokuroritë Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Fier, Tiranë e Lezhë kanë dosje trafiku droge e krimesh të tjera.

Më 6 qershor 2017, Andrea Çaushi u arrestua në Tiranë, bashkë me Andi Mitën, Kasëm Pilurin e Altin Rramollin, nga Anti-mafia Italiane dhe ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda (sot SPAK), për trafikimin e 900 kg drogë nga Karaburuni në Siçili, për familjen mafioze "Nizza".

Madje arrestimi i tij u bë edhe si pjesë e grupit "Laguna e Vilunit" në Lezhë, që trafikonte drejt Italisë sasi të mëdha droge të grumbulluara në Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Mallakastër e Vlorë, nëpërmjet një rrjeti prej 11 personash, mes tyre 2 zyrtarë të lartë policie.

Por pas 1 muaji, Andrea Çaushi u la i lirë nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda (sot SPAK), në ujdi mes palësh, nuk bëri rekurs dhe heshti.

Sipas dosjes italiane dhe dosjeve të drejtësisë shqiptare, rezulton se në vitet 2014-2022, Andrea Çaushi ka trafikuar 3.8 tonë drogë drejt Italisë, ndërsa SPAK po e lë jashtë hetimit e sekuestrimit, madje e hoqi dhe nga lista e OFL-së, ku SPAK ishte autoriteti që hartonte listat dhe hetonte pasuritë.

Paralelisht me mosveprimin e SPAK-ut, Edi Rama dhe ministrat e tij i kanë dhënë falas trafikantit Andrea Çaushi Kalanë e Lëkurësit në Sarandë për resort; si dhe sipërfaqe publike për gurore, leje për hotele e pallate në Ksamil, Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë e Tiranë.

Sipas raporteve të SHISH-it, kryetrafikanti Andrea Çaushi ka 5 hotele në Sarandë, Vlorë, Himarë dhe 11 apartamente e 4 lokale në Tiranë, të investuara me të ardhurat nga trafiku i drogës, gjobëvëniet, vrasjet me pagesë dhe nxjerrja në kurth e rivalëve, miqve e bashkëpunëtorëve kriminelë.

Te Kanali i Çukës në Sarandë, Andrea Çaushi ka një hotel 7 kate, të ndërtuar me para të pista, ku kati i parë është bar-kafe, por dhe një restorant te Gjiri i Hartës në Ksamil, i regjistruar në emër të vëllait Visi Çaushi, në administrim nga familjarja e tyre Dritjona Çaushi.

P.sh., te kompleksi "Pallatet-Derveni" në Kombinat, Yzberish, Astir dhe te zona "5 Maji" në Tiranë, trafikanti Andrea Çaushi ka 18 apartamente, 3 lokale, 4 dyqane, 1 palestër e 11 garazhe, të marra nëpërmjet investim-pastrimit të parave të krimit te firmat e ndërtimit "Derveni-1", "5 Maji Konstruksion", "BBL-Tepelena" etj./Pamfleti

andrea çaushi prokuroria e soçilisë

Lini një Përgjigje