Federata Italiane e Futbollit (FIGC) është drejt përzgjedhjes së trajnerit të ri të kombëtares, pasi kandidatura e Andrea Pirlos u rrëzua përfundimisht pas polemikave të lidhura me sponsorizimin e tij nga kompania ruse e basteve Fonbet.
Sipas mediave italiane, gara për stolin e Italisë tashmë është ngushtuar në dy emra: Antonio Conte dhe Roberto Mancini. Vendimi përfundimtar pritet të merret brenda pak orësh.
Në 17 ditët e fundit, Paolo Maldini dhe Leonardo, të emëruar në drejtimin teknik të kombëtares, kishin punuar për të ndërtuar një projekt të ri, duke mbështetur kandidaturën e Pirlos si pasues i Gennaro Gattusos. Megjithatë, zhvillimet e fundit e kanë detyruar federatën të rikthehet në pikën zero.
Dy drejtuesit teknikë thuhet se kanë propozuar edhe emrin e Thiago Mottës, i cili deri më tani nuk është kontaktuar zyrtarisht. Megjithatë, vendimi final i takon presidentit të FIGC-së, Giovanni Malagò, i cili pritet të rikthejë në tryezë kandidaturat e Antonio Contes, i konsideruar favoriti i klubeve të Serie A, dhe Roberto Mancinit, me të cilin ka edhe një marrëdhënie personale.
Sipas raportimeve, nëse zgjidhet një nga dy kandidatët e preferuar të Malagòs, dorëheqja e Paolo Maldinit dhe Leonardos shihet si një skenar gjithnjë e më i mundshëm. Vetëm pak ditë më parë, ata kishin prezantuar para klubeve të Serie A planin për rindërtimin e futbollit italian.
Përveç emërimit të trajnerit të ri, FIGC mund të detyrohet të riorganizojë edhe drejtimin teknik të kombëtares. Megjithatë, prioriteti mbetet zgjedhja e trajnerit që do të drejtojë Italinë në ciklin e ri.
Lini një Përgjigje