Elvis I. Pengili, 'pengu' i bandave kriminale, tetë herë nën hetim, asnjëherë pas hekurave. Falsifikator i tokave të tërmetit, sot firmos si drejtor Kadastre ndërsa kolegët i kalben në burg...
Të gjithë drejtorët xhambazë e hajdutë të LSI-së në Durrës janë bërë pjesë e pushtetit të PS-së, duke vazhduar të jenë në sektorë ku ka pasuri, ankande, tenderë, legalizime dhe hipotekime. Në krye të kësaj liste qëndron Elvis Pengili, ish-Përgjegjës Sektori në Kadastrën e Durrësit dhe ish-shef i legalizimeve kur mbante vulën e LSI-së, sot i emëruar drejtor i Kadastrës si patronazhist i PS-së. Një kalim që të kujton akrobacitë e cirkut, ama për të ka funksionuar më së miri: nga shef legalizimesh në drejtor, pa dhënë asnjë llogari për atë që ka lënë pas.
Ajo që ka lënë pas është një mal me gënjeshtra. Elvis Pengili njihet në Durrës si falsifikator e dallaverxhi me hartat dhe çertifikatat e tokave. Tetë herë është vënë nën hetim nga policia e krimit ekonomik, prokuroria dhe gjykata e Durrësit. Tetë herë i ka shpëtuar arrestimit dhe dënimit. E kanë shpëtuar pushtetarët, shefat e lartë të policisë e drejtësisë, oligarkët dhe "të fortët" e botës së krimit në Durrës e Tiranë; pikërisht ata të cilëve u ka firmosur harta false për tokat dhe trojet që kanë zaptuar dhe grabitur në zonat bregdetare.
Rasti më flagrant mbetet ai i 15 dhjetorit 2019, kur pas tërmetit shkatërrimtar, Prokuroria e Durrësit regjistroi Çështjen Nr. 2466 për "Vrasje me dashje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve të tokave në bashkëpunim". Dosja përfshinte emrin e Elvis Pengilit, në atë kohë Përgjegjës i Sektorit të Pronësisë së Tokave, me masë "Arrest me burg" dhe prova shkresore që e lidhnin me falsifikimin e dokumenteve kadastrale të tokave shtetërore të grabitura. Objektet e ngritura mbi ato toka u shembën nga tërmeti, duke shkaktuar shumë viktima në Durrës. Pa asnjë sqarim, emri i tij u hoq nga lista e të arrestuarve dhe u zëvendësua me "Detyrim paraqitje". Çështja iu pushua më pas. Pengili vazhdoi detyrën atje ku kishte kryer krimin.
I njëjti skenar u përsërit më 12 prill 2024, kur Prokuroria e Durrësit procedoi një grup zyrtarësh e ish-zyrtarësh të Kadastrës dhe ndërtues për falsifikim dokumentash dhe vjedhjen e 151 mijë m² tokë e truall në Lagjen nr. 15. Mes të proceduarve për "Arrest me burg" ishte sërish Elvis Pengili. U arrestuan 5 kolegë, ish-kolegë e përfitues të skemës, por emri i Pengilit u hoq nga dosja. Në kallëzimin nr. 102/2021 të PD-së në SPAK, me filmime për presion ndaj punonjësve të administratës dhe blerje votash në Durrës, emri i tij figuron sërish. Hetimi për disa drejtorë vazhdon prej 5 vitesh, por për Elvis Pengilin procedimi penal është fshirë në heshtje. Më 2 prill 2025, një tjetër kallëzim penal në SPAK dhe Prokurorinë e Durrësit, me prova filmike, audio dhe denoncime qytetarësh për intimidime dhe blerje votash për PS-në, nuk solli asnjë çështje penale ndaj tij. Katër çështje të tjera penale janë regjistruar ndaj tij, pa llogaritur denoncimet e shumta nga pronarë e ish-pronarë të cilëve u ka grabitur tokat përmes falsifikimeve në dosjet kadastrale.
Pas kësaj liste të gjatë shpëtimesh, qëndron një mekanizëm i vajisur mirë. Krahu i djathtë i Elvis Pengilit është personi i njohur si "sekseri" i Hipotekës së Durrësit: Ervin Krymbi, 47 vjeç. Në korridoret e Hipotekës njihet si "sekseri" i të fortëve, njeriu që zgjidh punët e pista të legalizimeve, azhornimeve dhe regjistrimeve false të pronave. Emri i tij del në zonat kadastrale 8513 dhe 8512, aty ku janë legalizuar ndërtime pa leje dhe ku vetë Krymbi figuron si përfitues ose ndërmjetës i procedurave. Janë vetëm dy rastet që kanë dalë në sipërfaqe.
Krymbi mban kontaktet e drejtpërdrejta me klientët, negocion tarifat, merr lekët në dorë dhe i çon dosjet në zyrën e Pengilit për t'u firmosur pa u bërë asnjë pyetje. Drejtori nga ana e tij mban makinerinë të mbuluar nga lart, duke u dhënë vulën zyrtare legalizimeve dhe regjistrimeve të paligjshme që përfundojnë në Hipotekë si dokumente të rregullta.
Pista më e ndyrë që dyshja ka nxjerrë nga duart e veta është skema e vilave të luksit që legalizohen si "magazina". Ajo që syri i lirë sheh si vila shumëkatëshe me pamje nga deti, në dosjet e Hipotekës figuron si magazinë bujqësore apo objekt industrial; sikur pallati buzë plazhit të ishte një depo. Transformimin e bëjnë pikërisht të dy: Krymbi bën pazarin, Pengili e bën të ligjshëm në letër. Synimi? Shmangia e taksave të larta të banesave, thyerja e ndalesave bregdetare dhe anashkalimi i rregulloreve urbanistike. Raportet e KLSH-së e kanë dokumentuar këtë praktikë, ku konstatohen "ndryshime destinacioni pa kryer procedurat e nevojshme".
Skema funksionon me një listë çmimesh fikse që qarkullon gojë më gojë në Durrës. "Sekseri" Krymbi ia komunikon kujtdo që troket në derën e tij: 10-15 mijë euro për legalizimin e një kati pa leje, në varësi të zonës dhe afërsisë me bregdetin; 3-5 mijë euro për azhornimin në hartë kur ke ndërtuar më shumë se sa ke të regjistruar; 3 mijë euro për legalizimin e shtëpisë kur bëhet fjalë për sipërfaqe më të vogla. Të gjitha pagesat bëhen cash, pa faturë, pa gjurmë.
Sipas burimeve të Pamfletit, vetëm nga ky treg i paligjshëm kanë qarkulluar mbi 10 milionë euro ''punë'', të ndara mes sekserëve, topografëve dhe shefave të Kadastrës Durrës. Pjesa e majme e kësaj torte përfundon në duart e Elvis Pengilit, që e ka kthyer detyrën publike në biznes familjar me role të ndara qartë: njëri negocion dhe merr lekët cash, tjetri firmos dhe i pastron në letër.
Nuk mungojnë as rastet kur pagesa është bërë me apartamente apo njësi tregtare të regjistruara në emra familjarësh. Kjo praktikë është e njohur për drejtorin Elvis Pengili, emri i të cilit sipas burimeve pranë SHISH-it, figuron në pasuri të dyshimta të regjistruara në emër të të afërmve.
Falsifikimin e rreth 300 hektarë tokë bregdetare dhe në zonat preferenciale të Bashkisë dhe rrethit Durrës, Elvis Pengili e ka bërë me urdhër e në interes të "të fortëve" të grupit Agasi dhe të pushtetarëve lokalë në Durrës e në kupolën e qeverisë. Të njëjtët që e mbajtën shef të tokave dhe e emëruan Drejtor të Kadastrës.
Ndërsa SPAK ka futur nën lupë të gjitha kadastrat e vendit, gjithçka tregon se dosja më voluminoze i përket asaj të Durrësit. Pikërisht aty ku Elvis Pengili dhe banda e tij kanë operuar për vite me radhë pa u prekur nga askush, duke grumbulluar një thesar provash që presin vetëm një akt guximi për t'u hapur.
Dy "mjeshtrat" e Kadastrës së Durrësit, Elvis Pengili dhe Ervin Krymbi, e kanë kthyer detyrën publike në një makineri milionash. Njëri bën pazarin, tjetri firmos. Njëri merr lekët cash, tjetri i pastron në letër. Mbi të dy, hija e të fortëve dhe e pushtetarëve që i mbajnë në këmbë. Një skemë që funksionon prej vitesh në sy të të gjithëve, pa u prekur nga askush; sepse kush prek Kadastrën e Durrësit, prek interesat e atyre që sundojnë Shqipërinë. (vijon) /Pamfleti
e pret burgu ket pleh vetem lek don ky
kjo bande ka legalizuar pallatin 25 katesh te enver shalos ne qender te durresit te porti