Kupa e Botës 2026 u mbyll me triumfin e Spanjës, e cila ngriti trofeun në stadiumin “MetLife” në New Jersey dhe fitoi yllin e saj të dytë në histori. Të 26 futbollistët e grumbulluar nga trajneri Luis de la Fuente kanë hyrë tashmë në historinë e “La Roja”-s, falë një turneu të jashtëzakonshëm.
Një nga armët më të forta të skuadrës kampione ishte padyshim mbrojtja. Spanja pësoi vetëm një gol gjatë gjithë kompeticionit, me dyshen e qendrës së mbrojtjes, Ajmerik Laport dhe Pau Kubarsi, që luajtën një rol vendimtar në suksesin e ekipit.
Megjithatë, zgjedhjet e FIFA-s për formacionin ideal të turneut kanë shkaktuar polemika. Si çdo Botëror, tifozët kanë mundësinë të votojnë për ekipin më të mirë të kompeticionit, por në listën e kandidatëve mungojnë pikërisht Laport dhe Kubarsi.
Veçanërisht surprizon mungesa e Kubarsit, i cili u shpall lojtari më i mirë i ri i Botërorit. Në vend të dy qendërmbrojtësve kampionë janë përfshirë Mark Kukureja dhe Pedro Porro, ndërsa lista e mbrojtësve plotësohet nga Lisandro Martinez, Nuno Mendes, Virxhil van Dajk, Gabriel Magalhaes, Kristian “Kuti” Romero dhe Dazhot Upamekano.
Në portë janë kandidatë Unai Simon, Vozinja, Emiliano “Dibu” Martínez, Xhrdan Pikford dhe Rum.
Në repartin e mesfushës dhe krahëve bëjnë pjesë Rodri dhe Lamin Jamal nga Spanja, si edhe Xhud Belingham, Majkëll Olize, Vinicius Zhunior, Enzo Fernandez, Osmane Dembele, Luka Modriç dhe Ismael Saibari.
Ndërkohë, në sulm janë përzgjedhur Mikel Ojarzabal, Kilian Mbape, Kuinones, Herri Kejn, Erling Haland dhe Lionel Mesi.
Në Spanjë, mungesa e Laport dhe Kubarsit është konsideruar e pakuptueshme, duke qenë se ata formuan mbrojtjen më solide të turneut. Po ashtu, jashtë listës kanë mbetur edhe Dani Olmo dhe Mikel Merino, dy lojtarë që dhanë një kontribut të rëndësishëm në rrugëtimin e Spanjës drejt titullit botëror. Kjo përzgjedhje e FIFA-s ka ngjallur reagime të shumta, me shumë tifozë që e konsiderojnë të pajustifikueshme lënien jashtë të dy qendërmbrojtësve që dominuan gjatë gjithë Botërorit.
Lini një Përgjigje