Egnatia ka barazuar 3-3 me Celjen në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Dueli i zhvilluar në stadiumin e Rrogozhinës dhuroi emocione të shumta dhe gjashtë gola, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Skuadra kampione e Shqipërisë kaloi e para në avantazh në minutën e 7-të. Goditja e Eneo Bitrit u devijua nga Daniel dhe përfundoi në rrjetë, duke i dhënë Egnatias një nisje perfekte të takimit.
Megjithatë, Celje reagoi në fundin e pjesës së parë. Në minutën e parë shtesë, Kvesic barazoi shifrat dhe skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-1.
Në pjesën e dytë, skuadra sllovene përmbysi rezultatin në minutën e 54-t me Kucys, por avantazhi i miqve zgjati vetëm pak. Katër minuta më vonë, Fernando realizoi një gol spektakolar për Egnatian, duke barazuar sërish rezultatin.
Celje kaloi përsëri në epërsi në minutën e 66-të, falë golit të dytë personal të Kvesic, i cili vendosi shifrat në 2-3. Por rrogozhinasit nuk u dorëzuan dhe në minutën e 78-të Diabate me një goditje të saktë riktheu baraspeshën, duke vulosur rezultatin final 3-3.
Pas këtij dueli me shumë emocione, gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin. Sfida e kthimit mes Celjes dhe Egnatias do të luhet më 28 korrik në Slloveni, me fillim në orën 20:15.
Lini një Përgjigje