Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me rastin e 34-vjeçares së burgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, e cila ndodhet në institucion së bashku me foshnjën e saj.
Institucioni bën të ditur se për nënën dhe foshnjën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetje psikologjike dhe sociale.
"Në zbatim të legjislacionit në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës, në IEVP Pojskë është akomoduar e dënuara me inicialet D. S., e dënuar me 2 (dy) muaj burgim, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.
Gjatë procedurave të pranimit në institucion, shtetasja me inicialet D. S. ushtroi të drejtën e parashikuar nga Ligji nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm, ambiente të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre”, njoftojnë Burgjet.
Rasti i 34-vjeçares ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa ka tërhequr edhe vëmendjen e Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
Presidenti Bajram Begaj ka kërkuar pranë institucioneve kompetente të shqyrtohen mundësitë ligjore për lirimin e saj. Sipas burimeve, kreu i shtetit ka kërkuar informacion nëse 34-vjeçarja përfiton nga ligji për amnistinë. Nëse kjo nuk është e mundur, ai ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një propozim zyrtar për dhënien e amnistisë individuale, duke marrë në konsideratë faktin se ajo është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve ka probleme shëndetësore.
34-vjeçarja u arrestua sapo mbërriti në Aeroportin e Rinasit, në zbatim të një vendimi gjyqësor që e dënonte me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje, pas një kallëzimi të bërë nga vjehrri i saj.
Arrestimi u shoqërua me vështirësi, pasi gruaja udhëtonte me tre fëmijët e saj të mitur. Pas përfundimit të procedurave, ajo u dërgua në IEVP Pojskë së bashku me foshnjën e saj, ndërsa për dy fëmijët e tjerë u morën masa për përkujdesjen e tyre.
Sipas informacioneve të publikuara më herët në media, dënimi prej dy muajsh përfshihet në kategoritë që mbulohen nga ligji për amnistinë. Megjithatë, autoritetet kanë vlerësuar se 34-vjeçarja i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit gjyqësor, ndaj urdhri i arrestit u zbatua pas kthimit të saj në Shqipëri.
Lini një Përgjigje