Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kërkuar pranë organeve ligjzbatuese që të shqyrtohen mundësitë ligjore për lirimin e 34-vjeçares së arrestuar në Aeroportin e Rinasit, nënë e tre fëmijëve të mitur.
Sipas burimeve, kreu i shtetit ka kërkuar informacion nëse gruaja përfiton nga ligji për amnistinë. Nëse kjo nuk është e mundur, ai ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë një propozim zyrtar për dhënien e amnistisë individuale, duke marrë në konsideratë faktin se ajo është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve ka probleme shëndetësore.
34-vjeçarja u arrestua sapo mbërriti në Aeroportin e Rinasit dhe u dërgua në institucionin e vuajtjes së dënimit së bashku me foshnjën e saj 7-muajshe. Ajo ishte dënuar me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje, pas një kallëzimi të bërë nga vjehrri i saj.
Arrestimi u shoqërua me vështirësi, pasi gruaja udhëtonte me tre fëmijët e saj të mitur, përkatësisht 7 muajsh, 2 dhe 4 vjeç. Ajo u kërkoi autoriteteve që fëmijët të qëndronin me të, duke deklaruar se nuk kishte kujt t'ua linte në përkujdesje.
Pas përfundimit të procedurave, 34-vjeçarja u dërgua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë së bashku me foshnjën 7-muajshe. Fëmija 2-vjeçar pritet t'i bashkohet nënës, ndërsa për fëmijën tjetër është siguruar kujdesi nga familjarët.
Sipas informacioneve të publikuara në media, dënimi prej dy muajsh përfshihet në kategoritë që mbulohen nga ligji për amnistinë. Megjithatë, autoritetet kanë vlerësuar se 34-vjeçarja i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit gjyqësor, ndaj urdhri i arrestit u zbatua pas rikthimit të saj në Shqipëri.
Nqs ka ushtruar dhune ne burg e ka vendit! Cpati ky katerputroshi qe ben ham-ham!