TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Korrik 2026, 17:42

Rasti i 34-vjeçares, Avokati i Popullit në burgun e Pojskës: Nëse nuk lirohet nesër, kemi shkelje procedurale

Shkruar nga Pamfleti
Rasti i 34-vjeçares, Avokati i Popullit në burgun e Pojskës:
Shabani në burgun e Pojskës

Institucioni ngre dyshime për mënyrën e ekzekutimit të vendimit ndaj nënës së tre fëmijëve, e cila po mbahet në burg së bashku me foshnjën 7-muajshe

Pas publikimit të rastit të 34-vjeçares, nënë e tre fëmijëve të mitur, e cila u arrestua në Rinas për të vuajtur një dënim me dy muaj burg, Avokati i Popullit është vënë në lëvizje duke nisur verifikime mbi mënyrën se si janë zbatuar procedurat nga autoritetet.

Një grup i institucionit zhvilloi këtë të premte një inspektim në burgun e grave në Pojskë, ku po mbahet 34-vjeçarja së bashku me foshnjën e saj 7-muajshe. Paralelisht, janë kërkuar informacion dhe sqarime edhe nga institucionet përgjegjëse, ndërsa është njoftuar edhe gjykata.

Avokati i Popullit deklaroi se dyshimet e para lidhen me faktin se gruaja është mbajtur për 72 orë në Bllokun e Sigurisë, ndonëse ndaj saj kishte një vendim të formës së prerë, duke e cilësuar këtë veprim të panevojshëm. Ai shtoi se janë inspektuar edhe kushtet në të cilat po qëndrojnë nëna dhe foshnja në burgun e Pojskës.

Sipas tij, në bindjen e institucionit, 34-vjeçarja duhet të lirohet gjatë ditës së nesërme, ndërsa paralajmëroi se, nëse kjo nuk ndodh, do të kemi të bëjmë me shkelje procedurale.

"Që kur jemi vënë në dijeni nga gazetarja Anila Hoxha, kemi nisur hetimet dhe kemi dërguar një grup për të verifikuar fazën e parë, ku ne dyshojmë se mund të jemi përpara shkeljes së procedurës, sepse një nënë me fëmijë në gji është mbajtur për 72 orë në Bllokun e Sigurisë, pasi ka dalë një vendim i formës së prerë. Ka qenë e panevojshme.

Ndërkohë bëmë inspektimet e kushteve ku po mbahen fëmija dhe nëna në burgun e Pojskës.

Kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet, kemi kërkesë edhe për gjykatën. Në bindjen time, nëna nesër do të lirohet dhe, nëse kjo nuk ndodh, do të jemi përpara shkeljeve procedurale, sepse nuk mund të mbahet një nënë me fëmijë në gji në burg për veprën për të cilën është dënuar", deklaroi Endri Shabani.

Rasti i 34-vjeçares ka ngjallur reagime të shumta, pasi ajo u arrestua sapo mbërriti në Shqipëri për të vuajtur një dënim me dy muaj burg, ndërsa me vete kishte tre fëmijët e saj të mitur, përfshirë një foshnjë vetëm 7 muajshe.



 

Lini një Përgjigje