Italia duket se i ka dhënë fund dilemës për trajnerin e ri të kombëtares. Sipas ekspertit të merkatos, Fabricio Romano, Federata Italiane e Futbollit ka vendosur t'ia besojë sërish pankinën Roberto Mançinit, i cili pritet të zëvendësojë Gennaro Gattuson.
Mbeten vetëm detajet e fundit për t'u formalizuar marrëveshja, ndërsa në ditët në vijim pritet nënshkrimi i kontratës dhe prezantimi zyrtar i teknikut italian. Për Mançinin do të jetë një rikthim në krye të "Axurrëve", skuadër që ai e drejtoi nga maji i vitit 2018 deri në gusht të 2023.
Mandati i parë i Mançinit mbetet i paharrueshëm falë triumfit historik në "EURO 2020", trofe që Italia e ngriti në vitin 2021 pas fitores me penallti ndaj Anglisë në finalen e "Wembley". Megjithatë, periudha e tij u shoqërua edhe me zhgënjimin e madh të moskualifikimit në Kupën e Botës 2022, pas humbjes befasuese ndaj Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinalen e "play-off"-it.
Gjatë drejtimit të kombëtares italiane, Mançini regjistroi 58 ndeshje, duke marrë 38 fitore, 12 barazime dhe vetëm 8 humbje. Ai vendosi edhe dy rekorde të rëndësishme, me 11 fitore radhazi dhe një seri prej 37 ndeshjesh pa humbje. Nën drejtimin e tij, Italia realizoi 126 gola dhe pësoi vetëm 44.
Përveç suksesit në Kampionatin Europian, Mançini e çoi Italinë dy herë në vendin e tretë në Ligën e Kombeve, ndërsa humbi edhe përballjen me Argjentinën në "Finalissima".
Ndërkohë, zhvillimet në Federatën Italiane kanë qenë të vrullshme. Vetëm një ditë më parë, Paolo Maldini dhe Leonardo paraqitën dorëheqjen pasi presidenti Xhovani Malago vendosi të mos emëronte Andrea Pirlon si trajner të kombëtares. Edhe pse ekzistonte një marrëveshje paraprake, kandidatura e Pirlos u rrëzua për shkak të rolit të tij si ambasador i një kompanie bastesh, çka e bëri të papranueshëm për postin.
Lini një Përgjigje