Presidenti ukrainas tha se me Trump diskutoi për sistemet Patriot, mbrojtjen ajrore dhe përshpejtimin e përpjekjeve diplomatike për paqe.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi si një "takim të mirë" bisedën me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke e falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen ndaj Ukrainës.
"Luftojmë së bashku për të mbrojtur jetët e ukrainasve dhe për të arritur paqen", deklaroi Zelensky pas takimit në Zyrën Ovale. Ai shtoi se i shprehu Trumpit ngushëllimet për ndarjen nga jeta të senatorit Lindsey Graham, të cilin e cilësoi si "një mik të vërtetë të Ukrainës".
Sipas Zelenskyt, gjatë bisedës u diskutua edhe për licencat për prodhimin e interceptorëve për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, si dhe për nevojën e intensifikimit të procesit diplomatik.
"Folëm edhe për diplomacinë. Është e rëndësishme të përshpejtohet procesi diplomatik. Ekipet tona do të bien dakord për detajet e komunikimeve të ardhshme. Jam mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të fortë", u shpreh ai.
Takimi mes Trump dhe Zelenskyt zgjati pak më shumë se një orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë, raportuan mediat amerikane.
Zelensky mbërriti në kompleksin presidencial rreth orës 09:40 me orën lokale, përmes një hyrjeje anësore të krahut perëndimor (West Wing), ndërsa u largua në orën 10:41. Sipas NBC News, vetëm pak minuta më vonë, në orën 10:56, në Shtëpinë e Bardhë mbërriti kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për takimin e tij me presidentin Trump.
Para mbërritjes në Uashington, Zelensky kishte njoftuar në rrjetin X se do të zhvillonte takime me Trumpin, ekipin e tij dhe zyrtarë amerikanë që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës.
"Prioriteti ynë numër një është mbrojtja kundër raketave balistike dhe bashkëpunimi strategjik me Amerikën. Duhet t'i afrohemi paqes", shkroi presidenti ukrainas.
Lini një Përgjigje