E ardhmja e Marash Kumbullës te Roma mbetet ende e paqartë. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk konsiderohet pjesë e planeve të trajnerit Xhan Piero Gasperini për sezonin e ardhshëm, ndaj klubi verdhekuq po shqyrton seriozisht mundësinë e largimit të tij gjatë merkatos së verës.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Roma është duke punuar për të riformatuar repartin defensiv dhe Kumbulla renditet mes futbollistëve që mund të sakrifikohen. Për 25-vjeçarin nuk mungojnë admiruesit, ndërsa interesi më konkret vjen nga Spanja.
Rajo Vajekano e Ivan Balliut po monitoron nga afër situatën e mbrojtësit shqiptar dhe pritet të bëjë një lëvizje për ta transferuar. Nëse marrëveshja realizohet, kjo do të ishte aventura e tretë e Kumbullës në La Liga, pas eksperiencave të mëparshme në formë huazimi me Espanjolin dhe Majorkën.
Nga ana tjetër, Roma vazhdon kërkimet për të afruar emra të rinj në mbrojtje, ndërsa drejtuesit po analizojnë disa alternativa për të përforcuar skuadrën.
Për Kumbullën, objektivi kryesor mbetet gjetja e një ekipi ku mund të ketë më shumë minuta në fushë dhe vazhdimësi, edhe pse dëshira e tij ka qenë gjithmonë të vazhdojë karrierën me fanellën e Romës dhe në futbollin italian.
Lini një Përgjigje