Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu mesditën e kësaj të marte një fermë blegtorale në Patos, duke lënë pas dëme të konsiderueshme materiale dhe humbje të bagëtive.
Sipas të dhënave paraprake, flakët u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të ushqimit të depozituar për bagëtitë. Fermerët, me ndihmën e banorëve të zonës, u përpoqën të nxirrnin kafshët nga stalla, ndërsa në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Patosit.
Për shkak të intensitetit të zjarrit dhe rrezikut që ai të përhapej në objektet përreth, operacionit iu bashkuan edhe efektivët e repartit zjarrfikës të Fierit.
Pas disa orësh ndërhyrjeje, ekipet arritën të izolonin vatrën dhe të shuanin flakët, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Bilanci paraprak tregon se mbi 10 krerë bagëti janë djegur, ndërsa janë shkatërruar stalla, rezerva të mëdha ushqimi për kafshët dhe makineri bujqësore. Dëmi ekonomik vlerësohet paraprakisht në rreth 7 milionë lekë.
Në vendngjarje ndodhen edhe shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e zjarrit.
Lini një Përgjigje