Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe shprehu kritika ndaj qeverisë lidhur me financimin prej 4.3 milionë eurosh nga buxheti i shtetit për koncertin e Kanye West.
Braçe u shpreh kundër aktit normativ, duke argumentuar se përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të mbahet nga qeveria dhe jo të ndahet me Kuvendin.
“Kjo më lë hije të keqe. Qeveria nuk mban përgjegjësi vetë, siç e parashikon ligji, por e shpërndan përgjegjësinë duke bërë pjesë edhe Kuvendin. Këtu parlamenti ftohet të mbajë përgjegjësi për një akt të qeverisë, ndërkohë që ligji e ngarkon qeverinë ta mbajë vetë. Kjo është e padrejtë, ndaj jam kundër këtij akti. E vë në diskutim aspektin kulturor të këtij koncerti, por aspektin ekonomik patjetër që e shoh por dua transparencë për ta gjykuar impaktin ekonomik. Ju dhatë disa shifra, më duken të mëdhaja, por dua prova për shifrat që jepni. Mbetem në mirëbesim të numrave që ju do të jepni", i tha Braçe Gonxhjes.
Braçe solli në vëmendje edhe raste të tjera të financimeve nga buxheti i shtetit, për të cilat ka munguar transparenca.
"Për 8 muaj janë financuar 2 aktivitete, është financuar ai aktiviteti për atë sportin e çuditshëm, padeli për të nuk ka folur njeri as s’ka transparencë", tha Braçe.
Në fund, ai përmendi edhe promovimin e Iso-Polifonisë shqiptare në filmin më të fundit të regjisorit Christopher Nolan, duke argumentuar se fondet publike duhet të orientohen më shumë drejt projekteve që promovojnë identitetin kulturor të vendit.
“Do doja ta financonit atë aktivitet për Iso-Polifoninë. Edhe filmin nuk do të ishte keq ta financonim, sepse është autokton, na përfaqëson dhe është krejt ndryshe nga ajo që përfaqëson ai këngëtari. Po ta kishim financuar atë regjisorin, do t’i kisha ngritur duart, edhe pse do të kisha shkelur ligjin”, tha Braçe gjatë debatit me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja.
Lini një Përgjigje