Një grabitje është regjistruar në orët e para të mëngjesit në ambientet e një kompanie postare private në Yrshek, në periferi të Tiranës. Katër persona kanë hyrë në magazinën e biznesit dhe kanë marrë tre pako, për t'u larguar më pas në drejtim të paditur.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:10. Gjatë grabitjes, autorët dyshohet se kanë përdorur një pistoletë lodër, e cila është gjetur dhe sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Hetuesit kanë administruar gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk dihet se çfarë përmbanin tre pakot e grabitura. Autoritetet po kryejnë verifikimet e nevojshme për të përcaktuar përmbajtjen e tyre dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Policia vijon hetimet, ndërsa po punon për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e katër autorëve.
Lini një Përgjigje