Protesta e zhvilluar jashtë Kuvendit u bë pjesë e debateve edhe brenda sallës së Parlamentit, ku deputetët Ardit Bido dhe Jorida Tabaku u përplasën lidhur me reagimin e protestuesve dhe atmosferën e krijuar jashtë godinës.
Bido kundërshtoi deklaratat e Tabakut, duke thënë se të dy kishin hyrë së bashku në Kuvend dhe se, sipas tij, nuk kishte pasur thirrje "parlament i krimit", siç pretendonte deputetja demokrate.
Ardit Bido: Ky Kuvend e ka humbur kontaktin e vet me qytetarët, e ka humbur sepse dita më interesante e javës është vendosur nga e enjtja e parlamentit në të mërkurën e përgatitjes së reels-ave. E dëgjova më parë kolegen që e vlerësoj, Jorida Tabakun që thoshte sesi hyri me qytetarët që thërrisnin “parlament i krimit”, etj. Në fakt, ne hymë bashkë nga hyrja nga “Toptani”, nuk kishte asnjë njeri andej, ishte vetëm një i Lëvizjes Bashkë që thoshte “parlament i krimit.” Se ku u dëgjuan këto “parlament i krimit”, unë nuk e di.
Nga ana e saj, Tabaku përsëriti deklaratat e bëra më herët në seancë, duke i sfiduar deputetët e mazhorancës të përballen me protestuesit për të parë reagimin e tyre.
Jorida Tabaku: Të dalë një nga ju atje përjashta, ta provojë dhe të shohë sesi sillen me ju. Hymë të dy bashkë në parlament dhe u morën me ju, asnjë fjalë kundër meje. S’kanë asnjë shqetësim me opozitën. Asnjë shqetësim. “Rama jepe dorëheqjen”, thonë. Dil njëherë e provoje, si të kanë trajtuar herën e shkuar.
Lini një Përgjigje