Nga podiumi para Kryeministrisë u bënë thirrje për protestë paqësore, ndërsa qytetarët hodhën poshtë mesazhin e kryeministrit për "Besën", duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të lira.
Protesta e 55-të kundër qeverisë u shoqërua me mesazhe të forta nga aktivistët, të cilët iu përgjigjën deklaratave të kryeministrit Edi Rama për dokumentin "Besa", duke theksuar se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kreut të qeverisë.
Në hapje të tubimit para Kryeministrisë, një prej aktivistëve u bëri thirrje patronazhistëve të mos provokojnë incidente, ndërsa u kërkoi protestuesve të ruajnë qetësinë.
"Patronazhistët të mos provokojnë dhe të mos shkaktojnë incidente në protestë, sepse bashkë me Edi Ramën ju ka ardhur fundi. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve", tha ai.
Gjatë protestës foli edhe aktivistja dhe anëtarja e Dhomës Britanike të Tregtisë, Silvana Xhaferi Hoxha, e cila akuzoi deputetët se nuk përfaqësojnë qytetarët, pasi sipas saj kanë hyrë në Kuvend përmes listave të mbyllura.
Ajo kritikoi edhe mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar protesta nga Policia e Shtetit, duke bërë të ditur se juristë të pranishëm në shesh po përgatisin ankesa për veprimet e uniformave blu.
"55 ditë shkojmë edhe para Parlamentit për t'u thënë deputetëve se nuk na përfaqësojnë. Vendosën rrethime sikur ne të ishim kriminelë dhe jo qytetarë që ushtrojnë të drejtën për të protestuar. Ka dhjetëra juristë në këtë shesh që po përpilojnë ankesat dhe do t'i ndihmojnë qytetarët të kërkojnë të drejtat e tyre. Zoti kryeministër, sot kërkove 'Besën', por nuk jua japim besën. Nuk e meritoni dhe nuk na përfaqësoni", deklaroi ajo.
Një tjetër aktivist deklaroi se protestuesit nuk e njohin dokumentin "Besa" të prezantuar nga kryeministri, duke e lidhur këtë me ngjarjet e fundit që, sipas tij, kanë cenuar besimin e qytetarëve ndaj qeverisë.
Ai përmendi rastin e Zvërnecit dhe reagimin ndaj nënës File, e cila u lëndua gjatë një proteste së bashku me djalin e saj me autizëm, duke theksuar se solidariteti i qytetarëve ka treguar një tjetër kuptim të fjalës "besë".
"Rama na foli sot për besë, por besa jote mori fund kur një qytetar u tërhoq zvarrë në Zvërnec dhe kur godite një nënë. Shqiptarët treguan se çfarë është besa, duke u bashkuar dhe duke mbledhur 150 mijë euro për nënën File. Edi Ramës iu deshën 55 ditë të reflektonte, por nuk na blen dot dhe nuk na ofendon dot. Çfarëdo dokumenti të nënshkruash nuk është legjitim nëse nuk pyeten qytetarët. Ne duam vetëm dorëheqjen", u shpreh ai.
Aktivistët përsëritën se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen derisa të realizohet kërkesa e tyre për largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Lini një Përgjigje