
Pak orë pasi kryeministri premtoi reflektim ndaj kërkesave të qytetarëve dhe paralajmëroi dy platforma të reja, protestuesit dolën sërish në rrugë, duke deklaruar se nuk do të ndalen deri në largimin e Edi Ramës.
Ka nisur protesta e ditës së 55 antiqeveritare në Tiranë. Si çdo mbrëmje gjatë javëve të fundit, qindra qytetarë janë mbledhur në Sheshin "Skënderbej", nga ku kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë.
Protesta e sotme zhvillohet në një moment politik të rëndësishëm. Vetëm pak orë më parë, kryeministri Edi Rama mblodhi Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, ku pranoi se kishte dëgjuar mesazhet e protestuesve dhe deklaroi se qeveria do të reflektojë mbi kërkesat e tyre. Ai paralajmëroi gjithashtu dy platforma të reja, mes tyre edhe platformën "Besa", të cilat, sipas tij, synojnë të krijojnë një komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Por reagimi në shesh duket se shkon në drejtimin e kundërt. Protestuesit thonë se nuk i konsiderojnë të mjaftueshme deklaratat e kryeministrit dhe se nuk presin platforma apo iniciativa të reja nga qeveria.
Sipas tyre, protesta ka kaluar prej kohësh fazën e kërkesave sektoriale. Ata këmbëngulin se objekti i tubimeve nuk është më marrja e premtimeve apo angazhimeve politike, por largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Në marshimin drejt Kryeministrisë dëgjohen vazhdimisht thirrjet "Rama ik!", "Dorëheqje!" dhe "Shqipëria nuk dorëzohet!", ndërsa organizatorët përsërisin se protesta do të vijojë çdo ditë, pa ndërprerje.
Pavarësisht deklaratave të bëra nga kryeministri pas mbledhjes me socialistët, protesta nuk ka shfaqur shenja tërheqjeje. Përkundrazi, organizatorët e konsiderojnë daljen e përditshme në rrugë si mjetin e vetëm për të ushtruar presion ndaj qeverisë, duke theksuar se nuk do të ketë tërheqje deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Lini një Përgjigje