TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Korrik 2026, 15:01

Moti i keq përfshin Korçën, era e fortë rrëzon një pemë 

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq përfshin Korçën, era e fortë rrëzon
Era e fortë rrëzon një pemë 

Moti i keq ka përfshirë disa zona të vendit këtë të premte, ku reshjet intensive të shiut, era e fortë dhe breshëri kanë shkaktuar probleme në qarkun e Korçës dhe Elbasanit, ndërsa në jug është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla për shkak të dallgëve të larta.

Në qytetin e Korçës, një pemë është rrëzuar mbi një trotuar si pasojë e erës së fortë, duke bllokuar kalimin e këmbësorëve dhe duke krijuar rrezik për kalimtarët. Pritet ndërhyrja e shërbimeve bashkiake për largimin e saj dhe normalizimin e situatës.

Reshjet kanë qenë të dendura në të gjithë qarkun e Korçës, ndërsa për disa minuta është regjistruar edhe breshër. Deri tani nuk raportohen dëme të tjera të rëndësishme, por autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes.

Përkeqësimi i motit ishte paralajmëruar më herët nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, i cili njoftoi se gjatë mesditës dhe pasdites priteshin reshje lokale, të shoqëruara në disa zona me shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe breshër, kryesisht në veri dhe lindje të vendit.

Ndërkohë, moti i keq ka sjellë kufizime edhe në lundrim. Kapiteneritë e Porteve të Vlorës dhe Sarandës kanë ndaluar daljen në det të hapur të mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit deri në orën 06:00 të datës 25 korrik.

Masa vlen për mjetet që lundrojnë jashtë Gjirit të Vlorës, si edhe në zonat Dhërmi–Himarë, Borsh dhe Ksamil, ku sipas parashikimeve priten erëra të forta dhe dallgë që mund të arrijnë deri në 3.5 metra.

era e fortë rrëzon një pemë ne korce

Lini një Përgjigje