TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Korrik 2026, 12:12

Vrasja makabre e gazetarit të sportit që tronditi Italinë, autori i dyshuar kapet me kartat e viktimës në një shtëpi të braktisur

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja makabre e gazetarit të sportit që tronditi Italinë, autori
Luigi “Luca” Esposito

Një 26-vjeçar tunizian pa leje qëndrimi në Itali është arrestuar si autori i dyshuar i vrasjes së gazetarit Luigi “Luca” Esposito, sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane.

Sipas mediave italiane, i dyshuari i identifikuar si Ridha Rahmoumi, u lokalizua nga karabinierët në një shtëpi të braktisur. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën në posedim të tij kartat e kreditit të gazetarit të vrarë. Sipas raportimeve, pasi u përball me provat, 26-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit.

Pas arrestimit ka reaguar edhe zëvendëskryeministri dhe ministri italian i Transportit, Matteo Salvini. Në një postim në rrjetin social X, ai falënderoi forcat e rendit për kapjen e shpejtë të autorit të dyshuar.

“Faleminderit forcave të rendit për kapjen e shpejtë të këtij vrasësi. Tani le të vuajë dënimin në vendin e tij, jo këtu në kurriz të italianëve”, shkroi Salvini.

Politikani i Lega-s e përdori ngjarjen edhe për të përsëritur kërkesën e partisë së tij për shtimin e pranisë ushtarake në qytetet italiane. “Është urgjente që, siç propozon prej kohësh Lega, të vendosen mijëra ushtarakë për të mbrojtur qytetet tona. Asnjë qytetar i ndershëm nuk duhet të ketë frikë nga prania e grave dhe burrave me uniformë kudo”, deklaroi ai.

Si ndoshi vrasja e Luigi Esposito?

Gazetari sportiv u gjet i vrarë dhe i djegur në një zonë bujqësore në Eboli, pranë Salernos, në jug të Italisë. Luigi Esposito, 53 vjeç, ishte punonjës i Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe bashkëpunëtor i disa mediave lokale.

Trupi i karbonizuar u zbulua nga zjarrfikësit gjatë shuarjes së një zjarri në shkurre. Fillimisht, për shkak të dëmtimeve të rënda nga flakët, identifikimi ishte i pamundur. Hetimet morën drejtim tjetër pasi pranë vendit të ngjarjes u gjet automjeti i viktimës.

Sipas hetuesve, Esposito dyshohet se është qëlluar me armë zjarri dhe më pas trupit i është vënë flaka. Në vendngjarje karabinierët gjetën disa gëzhoja, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes dhe rrethanat e krimit.

Luca Esposito ishte i njohur në botën e sportit si bashkëpunëtor i gazetës La Città di Salerno, televizionit Ottochannel dhe themelues i portalit sportiv Tuttosalernitana.com. Ai kishte diplomë në biologji dhe një diplomë të dytë në letërsi.Prokuroria e Salernos, nën drejtimin e Raffaele Cantone, ka nisur hetimet dhe po shqyrton të gjitha pistat për të zbuluar autorët dhe motivin e vrasjes.

vrasja makabre e gazetarit të sportit itali luigi “luca” esposito

Lini një Përgjigje