TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Korrik 2026, 10:37

“Ligji i oligarkëve”, Tabaku zbërthen skemën si u përdorën investimet strategjike në 10 vite për grabitjen e pronave publike

Shkruar nga Pamfleti
“Ligji i oligarkëve”, Tabaku zbërthen skemën si u
Jorida Tabaku dhe Edi Rama

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në vëmendje historikun e Ligjit për Investimet Strategjike, duke deklaruar se ai ka humbur qëllimin për të cilin u miratua në vitin 2015 dhe është shndërruar në një mekanizëm që, sipas saj, ka favorizuar një numër të kufizuar përfituesish në dëm të konkurrencës dhe pronës private.

Tabaku tha se ligji u prezantua fillimisht si një instrument i përkohshëm për të tërhequr investitorë të huaj dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, por pas një dekade zbatimi rezultatet kanë qenë të ndryshme nga ato që ishin premtuar.

"Investitorët do të merrnin asete publike, prona private, leje, akses në procedura, heqje taksash dhe favore fiskale për të investuar në vendin tonë. Por, në përfundim të ditës, gjatë dhjetë viteve të zbatimit të tij, ky ligj ka shërbyer për t’ua shpërndarë këto asete publike dhe prona private vetëm një grushti të vogël njerëzish", u shpreh deputetja.

Sipas saj, ligji është ndryshuar nëntë herë që nga hyrja në fuqi, ndërsa gjashtë prej ndryshimeve kanë pasur si objekt vetëm shtyrjen e afatit të zbatimit.

"Pa iu tharë ende boja ligjit, qeveria solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit në vitin 2018. Nëntë herë është ndryshuar ligji, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin", deklaroi Tabaku.

Deputetja kujtoi se gjatë miratimit të ligjit në vitin 2015 kishte propozuar amendamente për mbrojtjen e pronës private, të cilat, sipas saj, nuk u mbështetën nga shumica parlamentare.

"Propozova disa amendamente që lidheshin pikërisht me çështjen e pronës. Me faktin se shteti nuk mund të ndërhyjë në një marrëdhënie ndërmjet privatëve, t’i marrë tokën një qytetari apo një familjeje, ta shpronësojë me çmim reference dhe më pas t’ia japë një privati tjetër. Këto amendamente u rrëzuan me forcën e kartonëve", tha ajo.

Duke folur për zhvillimet e mëvonshme, Tabaku u ndal te iniciativa e saj në vitin 2022 për të ndërprerë efektet e ligjit, pas kritikave të Komisionit Europian dhe debateve mbi mënyrën e zbatimit të tij.

"Në vitin 2022, edhe pas kërkesave të Komisionit Europian, kërkova që efektet e tij të ndaleshin. Përfaqësuesit e qeverisë e mbronin me krenari ligjin dhe rezultatet e tij", thotë Tabaku.

Në deklaratën e saj, deputetja solli si shembull edhe projektin "Durrës Marina", për të cilin pretendoi se pasqyron mënyrën se si është zbatuar ligji.

"Ata jepnin si shembull 'Durrës Marinën', e cila është një shembull i jashtëzakonshëm i abuzimit, i korrupsionit dhe i mungesës së garës në ekonomi", deklaroi Tabaku.

Sipas saj, zgjatjet e njëpasnjëshme të afatit të ligjit janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa premtimi për hartimin e një ligji të ri për investimet nuk është mbajtur.

Në përfundim, deputetja e PD-së e cilësoi Ligjin për Investimet Strategjike si një nga bazat mbi të cilat, sipas saj, është ngritur sistemi i favoreve.

"Këtë sistem nuk mund ta zhbëjnë ata që e krijuan, e konceptuan, e votuan dhe e zbatuan. Këtë sistem do ta ndryshojë shoqëria shqiptare. Shfuqizimi i këtij ligji është heqja e njërës prej tullave mbi të cilat është ngritur sistemi i favoreve", përfundoi Tabaku.

investimet strategjike në 10 vite

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Shqipëria 1 euro, ligjet për grabitjen e trojeve dhe falsifikimin e identiteteve, paketa e maleve , ligji për zonat e mbrojtura, ligji për investimet strategjike janë sallatë greke, ku opozita dhe mazhoranca bashkëpunuan totalisht. Hiqni dorë nga imuniteti kur këtë e kërkon SPAK. Po mbroni Balluken dhe me dhjetra si ajo në të dy grupet parlamentare, djathtas dhe majtas. Bëni testin e drogës.

    Lini një Përgjigje