TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Korrik 2026, 15:20

Gjyqi ndaj Ols Dados, mbrojtja e Veliajt: Gjykata shmangu pyetjen nëse prokurori është emëruar sipas Kushtetutës

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqi ndaj Ols Dados, mbrojtja e Veliajt: Gjykata shmangu pyetjen nëse
Ndreca-Veliaj

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, reagoi pas vendimit të Gjykatës Administrative, duke deklaruar se gjykata shmangu shqyrtimin në themel të padisë që lidhet me ligjshmërinë e emërimit të prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Sipas Ndrecës, gjykata nuk rrëzoi pretendimet e palës paditëse, por refuzoi t’i shqyrtojë ato në themel.

Padia jonë nuk u rrëzua. Ajo nuk u lejua të shqyrtohej. Gjykata nuk hyri në themelin e pretendimeve tona. Ajo na mohoi aksesin efektiv në gjykatë, me argumentin se Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë nuk kanë interes të ligjshëm të kërkojnë kontrollin e ligjshmërisë së emërimit të një funksionari shtetëror. Po nëse nuk ka interes të ligjshëm personi ndaj të cilit janë ushtruar përgjime, kontrolle, sekuestrime, masa sigurimi dhe kufizime të lirisë personale, atëherë kush e ka? Nëse nuk legjitimohet qytetari që pretendon se këto masa janë marrë nga një person pa atributet ligjore për t'i ushtruar ato, atëherë praktikisht nuk legjitimohet askush”, u shpreh Ndreca.

Ai argumentoi se vendimi krijon një precedent të rrezikshëm, pasi, sipas tij, i mohon qytetarëve mundësinë për të kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së funksionarëve publikë që ushtrojnë kompetenca ndaj tyre.

Logjika e këtij vendimi çon në pasoja absurde. Asnjë qytetar që ndalohet, kontrollohet, gjobitet, i hiqet prona apo arrestohet nga një person që paraqitet si funksionar shtetëror nuk mund t’i kërkojë gjykatës të verifikojë nëse ai kishte realisht atributet ligjore për ta ushtruar atë funksion. Ky është, në thelb, mesazhi juridik i vendimit të sotëm. Sigurisht që ne e prisnim dhe e kishim paralajmëruar këtë rezultat”, deklaroi ai.

Ndreca tha se gjykata shmangu t’i përgjigjej pyetjes kryesore të procesit, që sipas tij lidhet me përputhshmërinë e emërimit të Ols Dados me Kushtetutën dhe ligjin.

Jemi të bindur se shmangia e shqyrtimit në themel ishte e vetmja mënyrë për të mos u përballur me pyetjen qendrore të këtij procesi: a është emëruar Olsi Dado në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të ushtruar funksionin e prokurorit të Republikës? Kjo është pyetja që gjykata refuzoi të dëgjojë dhe t’i përgjigjet. Ne sapo kemi përfunduar hapin e parë të kësaj beteje”, tha ai.

Sipas avokatit, çështja tashmë shkon përtej rastit konkret dhe lidhet me mënyrën se si sistemi i drejtësisë ushtron kontroll mbi vetveten.

Ajo që nisi si një çështje për ligjshmërinë e ushtrimit të funksionit të një prokurori, sot ka marrë përmasa shumë më të mëdha. Sot nuk është më në diskutim vetëm statusi i një funksionari publik. Në diskutim është aftësia e vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve për të pranuar kontroll edhe mbi veten. Nuk mund të kërkosh besimin e qytetarëve, nëse nuk pranon të njëjtat standarde kontrolli që ua imponon atyre edhe mbi veten”, u shpreh Ndreca.

Në përfundim, ai bëri të ditur se pala mbrojtëse do ta ankimojë vendimin dhe do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore.

Ne do ta vazhdojmë këtë betejë me të gjitha mjetet ligjore. Sepse kjo nuk është më vetëm çështja e një prokurori. Është çështja që do të tregojë se çfarë drejtësie ka zgjedhur të ndërtojë Republika e Shqipërisë: një drejtësi që pranon të kontrollojë edhe veten, apo një drejtësi që pretendon të jetë mbi çdo kontroll kushtetues. Për ne, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është shumë më e rëndësishme se çdo proces individual”, përfundoi Ndreca.

veliaj dado

Lini një Përgjigje