TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Korrik 2026, 11:30

"PD, parti e përdhunuar nga protesta"/ Plas në Kuvend mes socialistëve, Peleshi-Ballës: Kujdes me fjalorin

Shkruar nga Pamfleti
"PD, parti e përdhunuar nga protesta"/ Plas në Kuvend mes
Balla

Seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar është shoqëruar me debate dhe replika të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër të diskutimeve ishte protesta e zhvilluar jashtë Kuvendit.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kritikoi Partinë Demokratike për qëndrimin e saj ndaj protestës dhe mbrojti veprimet e Policisë së Shtetit, duke theksuar se nuk mund të tolerohet dhuna ndaj efektivëve.

“Jeni parti e përdhunuar nga ajo protestë. Por ne kurrësesi për asnjë moment s’do të tolerojmë që të goditen punonjësit e Policisë së Shtetit. Gjaku i punonjësve të Policisë së Shtetit është gjaku i vet shtetit. Kush guxon të ngrejë dorë mbi punonjësit e Policisë së Shtetit ngre dorë mbi vet shtetin. Policia po e bën detyrën e vet në mënyrë të shkëlqyer. Ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta, prandaj nuk distancoheni. Z.kryetar Kuvendi duhet ta dënojë ashpër dhunën kundër policisë”, u shpreh Balla.

Pas kësaj deklarate, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i tërhoqi vëmendjen Ballës për gjuhën e përdorur gjatë fjalës së tij, duke e cilësuar të papërshtatshme.

"Kujdes me fjalorin", tha Peleshi.

Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, reagoi ndaj deklaratave të Ballës, duke e akuzuar për standarde të dyfishta në raport me Policinë e Shtetit. Ajo kërkoi që gjuha e përdorur prej tij të mos kalojë vetëm me një tërheqje vërejtjeje.

“Nuk kalon me një vërejtje personi që u ka hipur Policisë së Shtetit mbi koka dhe ka dhunuar policinë në opozitë”, tha Zhupa.

Lini një Përgjigje