Mazhoranca kalon me votim projektrezolutat, aktet normative dhe paketën e projektligjeve, ndërsa jashtë Parlamentit vijon protesta qytetare...
Mazhoranca socialiste ka miratuar rendin e ditës në seancën plenare, duke vijuar me votimin e çështjeve të parashikuara në axhendën e Kuvendit, pavarësisht tensioneve të forta në sallë dhe bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës.
Vendimi erdhi pasi më herët Kuvendi miratoi me 84 vota pro, 7 kundër dhe asnjë abstenim propozimin e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për ndërprerjen e diskutimeve mbi raportet e reformës administrativo-territoriale dhe kalimin te pikat e tjera të rendit të ditës. Mes deputetëve që votuan pro ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili iu bashkua seancës plenare.
Edhe pas këtij vendimi, opozita nuk u tërhoq nga foltorja. Deputetët demokratë vijuan ta mbajnë të bllokuar atë, ndërsa gjatë gjithë procesit të votimit në sallë dëgjoheshin vazhdimisht thirrjet "Hajdut" dhe "Dorëheqje", duke shoqëruar me tension procedurat parlamentare.
Përpara se të kalohej te votimi, seanca u shoqërua me debate të forta për reformën administrativo-territoriale. Taulant Balla akuzoi opozitën se po zbatonte një skenar për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke bllokuar foltoren për të mos lejuar prezantimin e raporteve të ekspertëve.
"Nuk ka asnjë surprizë. Është e pavërtetë ajo që thoni ju që sot do të votohet reforma territoriale. Sot paraqiten raportet e dy palëve. Duke qenë se deputetët bllokojnë foltoren në mënyrë të përsëritur, kërkoj ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin në çështjet e rendit të ditës", deklaroi Balla.
Nga ana tjetër, opozita kundërshtoi mënyrën se si mazhoranca po e trajton reformën territoriale. Bashkëkryetari i komisionit, Luçiano Boçi, akuzoi PS-në se po vepron në mënyrë të njëanshme dhe se raporti që po prezantohej nuk ishte produkt i Komisionit Parlamentar.
"Ky raport që doni të kaloni sot nuk është produkt i Komisionit Parlamentar. Nuk mund të ketë raport përfundimtar pa kaluar më parë në komision. Ju thoni se ka mbaruar afati, po unë them se nuk ka mbaruar puna", u shpreh Boçi.
Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi vijimin e procedurës, duke deklaruar se dokumenti për reformën territoriale u ishte dërguar deputetëve me e-mail një ditë më parë, pa u sqaruar origjina e tij, ndërsa kërkoi zgjatjen me tre muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale për të përfunduar konsultimet dhe për të marrë opinionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, mazhoranca kaloi në votim rendin e ditës, ku përfshihen projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut, Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025.
Po ashtu u miratuan për shqyrtim Akti Normativ nr. 2, që parashikon ndryshime në ligjin për buxhetin e vitit 2026, dhe Akti Normativ nr. 3, që lidhet me financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare. Në rendin e ditës u përfshi edhe një paketë projektligjesh që lidhen me grupimet ekonomike me interes evropian, shoqëritë evropiane, Kodin Civil, ligjin për turizmin, Kodin Detar, Avokaturën e Shtetit, Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, kontabilitetin, pronësinë industriale, disiplinën në Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit, situata mbetet e tensionuar. Që prej orës 08:30, me qindra qytetarë u mblodhën në protestë para Parlamentit. Gjatë paradites pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, ku u përdorën gaz lotsjellës, spraj djegës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje