TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Korrik 2026, 21:33

Vuçiç shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare: Do të mbahen në tetor ose në fillim të nëntorit

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare: Do të
Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka konfirmuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit të këtij viti, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në një datë të mëvonshme.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babiš, Vuçiç tha se po mban premtimin e dhënë më herët për t'u dhënë qytetarëve mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale”, deklaroi ai.

Njoftimi vjen në një moment të ndjeshëm politik për Serbinë. Në fund të muajit qershor, Vuçiç u tha mbështetësve të Partisë Progresive Serbe se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me synimin për t'i siguruar partisë së tij një mandat të ri qeverisës.

Serbia prej më shumë se një viti është përfshirë nga protesta të vazhdueshme kundër qeverisë. Demonstratat nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në vitin 2024, tragjedi ku humbën jetën 16 persona.

Ngjarja shkaktoi zemërim të madh publik dhe nxiti akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të shtetit të së drejtës. Që atëherë, studentë, qytetarë dhe organizata të shoqërisë civile kanë organizuar protesta të njëpasnjëshme, duke kërkuar përgjegjësi politike, reforma institucionale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

 

 

vucic zgjedhje

Lini një Përgjigje