TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Korrik 2026, 20:08

Nga Saranda në Lezhë, Artan Hoxha zbulon zonat e ‘lakmuara’ nga krimi: Shkojnë aty ku është paraja

Shkruar nga Pamfleti
Nga Saranda në Lezhë, Artan Hoxha zbulon zonat e
Artan Hoxha

Gazetari investigativ Artan Hoxha deklaroi se harta e krimit në Shqipëri ka ndryshuar vitet e fundit, duke theksuar se ngjarjet mafioze të bujshme janë zëvendësuar nga një përqendrim i grupeve kriminale në zona ku qarkullon kapitali dhe zhvillohen investime të mëdha.

I ftuar në podcastin "Ma Shqip" me gazetarin Flamur Vezaj, Hoxha tha se atentati në Rinas ishte, sipas tij, një nga ngjarjet e fundit tipike mafioze, ndërsa sot vëmendja duhet përqendruar te qarqe të caktuara të vendit.

"Po t'i shikosh sot nuk ka më ngjarje, ngjarja e Rinasit ishte e fundit, e tipit mafioz. Ngjarjet e tjera janë më sporadike. Sot evidentohen tre qarqe specifike. Kam rreth pesë vjet që e kam ngritur si shqetësim rastin e Sarandës. Saranda nuk ka qenë kurrë zonë problematike. Përkundrazi, njerëzit problematikë nga veriu shkonin atje vetëm për pushime. Ishte një zonë shumë e qetë", u shpreh Hoxha.

Sipas tij, ndryshimi nisi me rritjen e investimeve dhe të vlerës së pronave në qytetin bregdetar, duke e kthyer Sarandën në një objektiv për grupet kriminale.

"Duke u rritur investimet në Sarandë, duke u rritur vlera e pronës dhe duke shkuar atje investitorët strategjikë, Saranda u bë një zonë shumë joshëse. Dhe ku është paraja, shkon edhe krimi. Fillimisht blenë ambiente e apartamente, më pas hotele, u bënë aksionerë, investitorë dhe sot janë bërë edhe ndërtues. Grupet e mëdha kriminale zbritën atje. Kjo ka bërë që Saranda të njohë rrëmbime, zhdukje personash dhe një seri ngjarjesh me eksploziv, gjëra që nuk kanë qenë kurrë pjesë e historisë së këtij qyteti", tha gazetari.

Hoxha identifikoi edhe qarkun e Lezhës si një tjetër zonë problematike, duke e lidhur këtë edhe me zhvillimin ekonomik dhe praninë e investimeve në bregdet.

"Zona tjetër problematike është qarku i Lezhës, edhe për shkak të përbërjes së tij heterogjene. Është një qark që ka një lidhje të fortë me bashkatdhetarët nga Kosova, të cilët janë ndër pronarët kryesorë të apartamenteve dhe banesave në zonën e Shëngjinit dhe Lezhës", deklaroi Hoxha.

Sipas gazetarit investigativ, zhvendosja e interesit të grupeve kriminale drejt zonave me investime të mëdha dhe pasuri të paluajtshme ka ndryshuar edhe hartën tradicionale të krimit në Shqipëri.

artan hoxha

Lini një Përgjigje