Masakra mjedisore në Nartë dhe Sazan po ekzekutohet përmes vendimeve të mbyllura të një Këshilli Kombëtar Territori që i përgjigjet vetëm kryeministrit. Ky adhurim i verbër ndaj “investitorëve të mëdhenj” po zëvendëson parimet e shtetit të së drejtës me betonin e interesave private.
Të financuar nga Komisioni Europian, një grup inxhinierësh mjedisorë nga Universiteti i Gjenovës po punojnë në lagunën e Nartës, e cila shtrihet në bregdetin jugor të Shqipërisë, në jug të deltës së lumit Vjosë.
Puna e tyre ndihmon në mbrojtjen e një prej zonave më të virgjëra dhe më të briszta në mbarë Mesdheun. Ky vend shërben si habitat për specie të rralla shpendësh, peshqish e breshkash detare, si dhe strehon një ekosistem unik dunash bregdetare e një florë tejet të çmuar.
Mirëpo, mbi rripin e tokës që ndan lagunën nga deti Adriatik pikërisht në bregdetin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit përkarshi, i cili është ende kryesisht i paprekur, ka hedhur sytë dhe miliona dollarë Jared Kushner-i.
Dhëndri i Donald Trump-it synon të ndërtojë aty një mega-resort luksoz përmes shoqërisë së tij të investimeve Affinity Partners, e cila financohet kryesisht nga qeveria saudite.
Ruspat kanë nisur gërmimet në zonën e Zvërnecit prej dy muajsh e gjysmë. Kjo ka sjellë reagimin e miliona njerëzve në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të Europës, përfshirë edhe Gjenovën, të cilët kanë dalë në protesta.
Në Tiranë, revolta qytetare vazhdon çdo ditë pa ndalesë në atë që tashmë po quhet “Revolucioni i Flamingove”, duke qenë se flamingot rozë janë ndër speciet më të rëndësishme dhe më të pranishme në lagunë.
Që prej momentit kur nisi puna në kantier, inxhinierët e Universitetit të Gjenovës u detyruan të pezullonin aktivitetin e tyre. Së bashku me kolegët e tjerë italianë dhe të huaj që janë pjesë e këtij plani mbrojtës, ata i drejtuan më 18 qershor një letër Bashkimit Europian:
“Me shqetësim të thellë (...) po vëzhgojmë përparimin e punimeve të fundit në zonën e Nartës. Këto ndërhyrje përfshijnë vendosjen e rrethimeve që bllokojnë lëvizjen e faunës vendase dhe pengojnë qasjen e banorëve dhe vizitorëve. Gjithashtu, po kryhet një shpyllëzim masiv i vegjetacionit autokton dhe po ndërtohen infrastrukturë mes plazhit dhe dunave”.
Projekti i inxhinierëve gjenovezë financohet nga fondet IPA (Instrumentet e Para-anëtarësimit), të cilat BE-ja i vë në dispozicion për të ndihmuar vendet kandidate që të përmbushin standardet europiane.
Shqipëria synon anëtarësimin në vitin 2030, dhe mbrojtja e mjedisit e lufta ndaj ndryshimeve klimatike janë shtyllat kryesore të këtyre fondeve. Francesco De Leo, kërkues shkencor në Universitetin e Gjenovës, i cili ka studiuar për një kohë të gjatë qarkullimin e ujërave në Nartë, shpjegon: “Laguna lidhet me Adriatikun përmes dy kanaleve. Kanali i veriut është bllokuar plotësisht nga rëra që sjell lumi Vjosë, ndërsa kanali i jugut mbahet i mbyllur me rrjeta nga peshkatarët që mbarështojnë ngjala. Përmes sondave tona hidrometrike, kemi vërtetuar se laguna nuk e shkëmben dot ujin me Detin Adriatik, gjë që e bën këtë ekosistem jashtëzakonisht të brishtë”.
Në letrën e nisur në qershor sqarohet se “sistemet e dunave janë mjedise dinamike që formohen përgjatë një kohe të gjatë nga veprimi i përbashkët i erës dhe valëve. Ato shërbejnë si barriera natyrore jetike kundër përmbytjeve bregdetare dhe zbutin forcën e dallgëve gjatë stuhive (...). Kur dunat rafshohen, ky funksion mbrojtës humbet plotësisht, duke rritur ndjeshëm rrezikun e erozionit dhe përmbytjeve”.
Për më tepër, “heqja e vegjetacionit bregdetar zhduk një tjetër mburojë natyrore, gjë që do të sjellë grumbullimin e dherave dhe bllokimin e kanaleve që lidhin lagunën me detin”. Në fund, ekspertët paralajmërojnë se “urbanizimi i bregdetit do të shkatërrojë një nga të paktat zona të mbetura ku speciet autoktone, e veçanërisht breshka Caretta caretta, depozitojnë vezët e tyre”.
Delta e Vjosës dhe laguna e Nartës janë zona të mbrojtura me ligjin shqiptar 81/2017.
Ky ligj, duke u mbështetur në rregullat e IUCN-së (Unioni Botëror për Konservimin e Natyrës), parashikon gjashtë nivele mbrojtjeje.
Narta, për shkak se ka qenë historikisht e banuar, nuk mund të përfshihej në nivelet më të larta, ndaj u klasifikua në nivelin e pestë (të parafundit). Megjithatë, edhe ky nivel i ndalon ndërtimet agresive, pasi sipas udhëzimeve të IUCN-së, “ruajtja e integritetit të kësaj zone është jetike për mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e saj mjedisor”.
Në letrën drejtuar BE-së nënvizohet se “këto ndërtime të papritura në zona të mbrojtura shkelin hapur parimet e Kapitullit 27 të Bashkimit Europian”. Ky është kapitulli që rregullon çështjet e mjedisit në negociatat e anëtarësimit, ku Shqipëria duhet të provojë se i përmbahet standardeve europiane.
Ekonomistja e mjedisit Valeria Parracino, e cila koordinon projektet në Shqipëri për OJQ-në italiane Celim dhe ka bashkëpunuar ngushtë me inxhinierët gjenovezë, shpjegon: “Në vitin 2024, Parlamenti shqiptar bëri ndryshime në ligjin e vitit 2017. Ai ia kaloi Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) të gjithë pushtetin vendimmarrës për aktivitetet në zonat e mbrojtura, duke lejuar aty ndërtimin e strukturave hoteliere me 5 yje apo më shumë.
KKT-ja është një strukturë që varet drejtpërdrejt nga kryeministri dhe në proceset e saj nuk përfshihet dëgjesa publike. Ndërkohë, ligji e thotë qartë se për çdo ndërhyrje në zonat e mbrojtura, pjesëmarrja e publikut është e detyrueshme. Për rastin e Zvërnecit, kjo gjë u anashkalua tërësisht”.
Protesta e parë kundër këtij kantieri u organizua nga organizata joqeveritare PPNEA (Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), e cila është e bindur se pasojat ekologjike dhe ekonomike do të jenë katastrofike.
Xhemal Xherri, ekspert mjedisi pranë PPNEA-s, sqaron: “Kjo lagunë është pjesë e korridorit të shtegtimit për qindra lloje shpendësh, si dhe një zonë kyçe për riprodhimin dhe dimërimin e tyre. Nëse lejohet ky resort, pas tij do të mbijnë të tjerë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'u opozuar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Bashkë me partnerët tanë po ndikojmë te BE-ja që të ndërhyjë”.
Gjithçka nisi në vitin 2021 me fillimin e punimeve për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, fare pranë lagunës. Edhe pse pista ka përfunduar, punimet vazhdojnë ende dhe ky projekt është pjesë e planit të kryeministrit Edi Rama për ta kthyer Shqipërinë në një “kampione të turizmit”.
PPNEA ka hapur një padi gjyqësore kundër ndërtimit të aeroportit. Ajo e humbi gjyqin në shkallë të parë, por e ka ankimuar vendimin dhe aktualisht çështja është në Apel, ndonëse punimet nuk janë ndalur.
Përballë protestave që vazhdojnë çdo ditë prej dy muajsh, Rama ka mbrojtur qëndrimin e tij në faqen zyrtare të qeverisë, duke thënë se ky resort është një model “për ndërtimin e destinacioneve turistike të gjeneratës së re, ku natyra dhe zhvillimi ecin në harmoni”.
Ai ka shtuar se KKT-ja “nuk ka dhënë ende leje ndërtimi, por thjesht ka miratuar fazën përgatitore”. “Ata e quajnë fazë përgatitore”, thotë në fund Valeria Parracino “por realisht deri tani kanë hapur një rrugë 7 kilometra të gjatë, kanë prerë një pjesë të pyllit me pisha pas plazhit dhe kanë rrafshuar dunat”./Përshtati "Pamfleti", nga “Il Secolo XIX”
Lini një Përgjigje