Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mazhoranca ka bllokuar diskutimet për Reformën Territoriale dhe paralajmëroi se, sipas tij, i njëjti qëndrim do të ndiqet edhe për Reformën Zgjedhore.
Në një prononcim për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike ka hartuar një projekt që parashikon krijimin e 90 deri në 110 bashkive, si edhe rikthimin e komunave, të organizuara mbi bazën e kritereve demografike.
Sipas tij, nuk synohet rikthimi i modelit të mëparshëm administrativ, pasi ndër vite kanë ndodhur ndryshime demografike, por një riorganizim që do të mundësonte krijimin e komunave të reja, duke bashkuar aty ku është e nevojshme dy ose tre ish-komuna.
Berisha theksoi se opozita ka zhvilluar një punë serioze për këtë projekt, por pretendoi se procesi nuk u lejua të ecë përpara, pasi, sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk dëshiron ndryshime në Reformën Territoriale dhe nuk pranon alternativa të tjera. Ai shtoi se pret që e njëjta qasje të ndiqet edhe në procesin e Reformës Zgjedhore.
“Ne kemi projektin tonë i cili ka një numër bashkish nga 90 në 110, por shtohen komunat. Ne nuk themi që të shkojmë te modeli i mëparshëm, sepse ka ndryshime demografike, por ne kërkojmë rikthimin e komunave, mbi bazën e kritereve demografie. Ose aty ku kanë qenë 2-3 komuna mund të krijohet një komunë. Ne kemi bërë një punë serioze, por kjo s’u lejua, sepse Rama s’e do reformën. Edi Rama s’pranon asgjë përveç asaj që mendon vetë. Ju garantoj që Edi Rama ka të njëjtin skenar për Reformën Zgjedhore”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje