Tensionet në seancën plenare janë përshkallëzuar gjatë procesit të votimit të rendit të ditës, ku deputetë të opozitës kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa në sallë kanë vijuar thirrjet kundër mazhorancës.
Incidenti ndodhi teksa Kuvendi po votonte projektaktet e parashikuara në rendin e ditës, pas vendimit të mazhorancës për të ndërprerë diskutimet mbi reformën administrativo-territoriale dhe për të kaluar te projektrezolutat, aktet normative dhe projektligjet e tjera.
Mes zhurmës dhe tensioneve, deputetët e opozitës që vijonin të mbanin të bllokuar foltoren hodhën sende në drejtim të kryeministrit Rama, ndërsa nga vendet e tyre dëgjoheshin vazhdimisht thirrjet "Hajdut" dhe "Dorëheqje".
Pas incidentit, drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, kërkoi rivendosjen e rendit në sallë dhe njoftoi përjashtimin nga seanca të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Përjashtimi i Bardhit erdhi në kulmin e tensioneve që kanë shoqëruar seancën plenare, e cila gjatë gjithë ditës është karakterizuar nga bllokimi i foltores nga opozita, debate të forta mes palëve dhe ndërprerje të njëpasnjëshme të punimeve.
Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit vijon të qëndrojë një numër i madh protestuesish. Protesta, e nisur që në orën 08:30, është shoqëruar më herët me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë, ku janë përdorur gaz lotsjellës, spraj djegës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës. Edhe pas incidenteve, qindra protestues mbeten të grumbulluar përreth Parlamentit, ndërsa seanca zhvillohet nën masa të forta sigurie.
Lini një Përgjigje