
Protestuesit vijojnë të qëndrojnë të mbledhur para Kuvendit, ndërsa në ambientet e brendshme po zhvillohet seanca plenare. Qytetarët janë ulur në afërsi të godinës dhe po presin përfundimin e seancës dhe daljen e deputetëve.
Ashtu si edhe gjatë orëve të paradites, një pjesë e protestuesve kanë marrë me vete vezë, të cilat kanë paralajmëruar se do t’i hedhin në drejtim të deputetëve.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar 11 persona në lidhje me incidentet dhe mbarëvajtjen e protestës. Gjatë protestës u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për të mbajtur nën kontroll situatën. Si pasojë e ndërhyrjeve, policia ka shoqëruar deri në këto momente 11 persona.
Nuk janë bërë ende të ditura identitetet e të shoqëruarve apo akuzat konkrete që rëndojnë ndaj tyre. Pritet që Policia e Shtetit të dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat e shoqërimeve dhe veprimet e mëtejshme procedurale.
Lini një Përgjigje