Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është ndërprerë pas tensioneve të krijuara gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huasë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes. Përplasjet nisën pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vendosi që projektmarrëveshja të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar.
Vendimi u kundërshtua nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët bllokuan foltoren e Kuvendit, duke penguar vijimin normal të punimeve. Si pasojë e situatës së tensionuar në sallë, Peleshi vendosi të ndërpresë seancën dhe të vijojë punimet në orën 15:00, pasi marrëveshja të shqyrtohet më parë në komisionet parlamentare.
Më herët gjatë seancës, Kuvendi miratoi me 75 vota pro kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF).
Marrëveshja, e depozituar nga qeveria të premten, parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh amerikanë, e destinuar për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Në nisje të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi futjen e projektmarrëveshjes në rendin e ditës.
“Në rendin e ditës është miratimi, në parim, i marrëveshjes së huas direkte ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF), me një hua në shumën totale prej 302,000,000 (treqind e dy milionë) dollarësh amerikanë”, deklaroi ai.
Peleshi bëri me dije gjithashtu se deputetët që dëshirojnë të njihen me pjesët konfidenciale të marrëveshjes duhet fillimisht të firmosin deklaratën e konfidencialitetit, përpara se të kenë akses në dokument.
Në mbështetje të marrëveshjes foli edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se huaja prej 302 milionë dollarësh përbën një investim strategjik për mbrojtjen e vendit dhe një tjetër dëshmi të partneritetit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Pas ndërprerjes së seancës, projektmarrëveshja do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare, ndërsa Kuvendi pritet të rikthehet në punime në orën 15:00 për vijimin e procedurave.
Me kete kredi do te blihen nga Americanet ca hekurishte rrangalle qe u kane ngelur americaneve