Ai deklaron se një prej tyre është afruar, i ka kërkuar të ndalonte filmimin dhe më pas ka nxjerrë një thikë, duke tentuar ta godasë.
Eksperti i IT, Gent Progni ka bërë një denoncim publik, teksa ka deklaruar se është kanosur me jetë gjatë zhvillimit të protestës së sotme pranë Kuvendit.
Sipas Prognit, ngjarja ka ndodhur teksa ai po filmonte disa persona civilë pranë zonës së Toptanit. Ai shprehet se një prej tyre është afruar, i ka kërkuar të ndalonte filmimin dhe më pas ka nxjerrë një thikë, duke tentuar ta godasë.
Progni tha se dyshon që personi në fjalë ishte efektiv i Policisë në civil, ndërsa shtoi se disponon edhe fotografi të tij. Ai paralajmëroi se do ta kallëzojë rastin si në Prokurori, ashtu edhe në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
“Dua të bëj një kallëzim publik, jam kanosur sot me jetë nga një person civil që e kam edhe me foto. Ka nxjerrë thikën dhe ka tentuar të më godasë. Besoj shumë që është polic civil. Isha duke filmuar policë civilë që po rrinin në një lokal përballë Toptanit, personi u çua dhe më tha përse filmon dhe nxori një thikë nga xhepi nga këto që hapet. Tentoi të më godiste. Kanë ardhur disa civilë atje dhe thanë mos godisni policët. Do bëj kallëzim në prokurori dhe këtu për kanosje dhe në AMP. E kam me foto personin. Momentin që u bë rrëmujë thërrisnin që është polic”, tha Progni.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e ngritura nga aktivisti.
Një nga figurat më të komentuara të protestës së kaluar para Kuvendit rezultoi të ishte shefi i Komisariatit nr.1, Ilir Hasrama, i cili u vu në qendër të kritikave për mënyrën se si drejtoi ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve.
Hasrama u filmua në disa momente teksa urdhëronte shoqërimin e qytetarëve pa ndonjë shkak të dukshëm, ndërsa në raste të tjera efektivët përdorën spray me piper ndaj protestuesve paqësorë. Sipas pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, ndërhyrjet e policisë erdhën edhe ndaj qytetarëve që mbanin një megafon në dorë apo brohorisnin slogane kundër deputetëve.
Pas publikimit të videove, protestuesit identifikuan efektivin si Ilir Hasrama, shef i Komisariatit nr.1. Në fund të përplasjes, ai u godit me një vezë në sy nga një protestues i revoltuar, episod që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale dhe shoqërohej me komente të shumta që dënonin sjelljen e tij gjatë protestës.

Por episodi me vezën duket se nuk u mbyll aty. Disa ditë më vonë, përpara Komisariatit nr.1, ku dhjetëra qytetarë ishin mbledhur për të kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar, ngjarja u kthye në objekt ironie dhe talljeje ndaj shefit të policisë.
Mes thirrjeve kundër arrestimeve dhe kundër mënyrës së veprimit të policisë, turma brohoriste vazhdimisht në kor: "Si e ke synin?", një slogan që i referohej drejtpërdrejt incidentit me vezën dhe që u kthye në simbol të pakënaqësisë së protestuesve ndaj Ilir Hasramës, të cilin ata e konsiderojnë përgjegjës për sjelljen e ashpër të forcave të rendit.
Edhe këtë të hënë nuk munguan tensionet. Policia arrestoi sërish disa qytetarë gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit. Të ndaluarit pretendojnë se janë shoqëruar pa asnjë bazë ligjore, vetëm për faktin se ishin ndër protestuesit më aktivë, mbanin megafonë ose organizonin thirrjet kundër politikanëve, duke ngritur akuza se policia po synon të frikësojë zërat kritikë në protesta.

Organizatori Arben Kola është liruar nga Komisariati nr.1 në Tiranë, si dhe një tjetër protestuese e shoqëruar gjatë tubimit të sotëm para Kuvendit.
Kola dhe protestuesja ishin shoqëruar nga policia pas tensioneve të krijuara gjatë protestës para Parlamentit, ku pati përplasje mes disa protestuesve dhe forcave të rendit.

Gjashtë persona u shoqëruan nga Policia e Shtetit, pas protestës së qytetarëve pranë Parlamentit të Shqipërisë.
Seanca plenare e njoftuar paraditen e sotme mobilizoi qytetarët të cilët ishin shpërndarë në disa zona përreth kuvendin, por edhe Policinë e Shtetit kishte marrë masat e saj duke krijuar një kordon të zgjeruar sigurie, çka solli edhe përplasje. Disa perona u shoqëruan ndërsa të tjerë u larguan nga ndërhyrja e uniformave blu.
Ndërkohë Kuvendi ka ndërprerë punimet për pak orë për t’u rikthyer sërish pasditen e kësaj të hëne, pas shqyrtimit të huasë mes SHBA-ve dhe Shqipërisë në komisionet parlamentare, hua kjo, e cila do shërbejë për blerje pajisjesh ushtarake.
Kjo marrëveshje u fut në rend dite me 75 vota pro me procedurë të përshpejtuar, ndërsa opozita u shpreh se nuk janë kundër marrëveshjes, por akuzoi mazhorancën, e cila sipas saj, nuk po respekton procedurat dhe rregullat kushtetuese.

Pas përfundimit të protestës para Kuvendit dhe marshimit në disa prej rrugëve të Tiranës, protestuesit janë zhvendosur drejt Komisariatit nr. 1 të Policisë, ku kërkojnë lirimin e organizatorit të protestës, Arben Kola, si edhe të personave të tjerë të shoqëruar gjatë tubimit.
Fillimisht, protestuesit u grumbulluan në sheshin "Skënderbej", përpara se të marshonin drejt komisariatit, ku kërkojnë informacion mbi gjendjen e të ndaluarve dhe lirimin e tyre.
Në duar, disa prej pjesëmarrësve mbanin qese me vezë dhe domate, të njëjtat sende që u përdorën edhe gjatë protestës së zhvilluar më herët para Parlamentit.
Tubimi i sotëm nisi përpara Kuvendit, ku pati momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa qytetarë tentuan të çanin kordonin e sigurisë për t'iu afruar godinës së Parlamentit, por u ndaluan nga efektivët.
Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën në disa raste spraj me lëndë irrituese për të shpërndarë turmën dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.
Pas shoqërimit të Arben Kolës dhe disa protestuesve të tjerë, pjesëmarrësit në tubim vendosën ta vijojnë protestën përpara Komisariatit nr. 1, duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke kundërshtuar veprimet e Policisë.
Kreu i Partisë Mundësi, Agron Shehaj, reagoi nga foltorja e Kuvendit lidhur me shoqërimin nga Policia të aktivistit Arben Kola gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë para Parlamentit.
Në fjalën e tij, Shehaj akuzoi mazhorancën se po përdor forcat e rendit ndaj qytetarëve që protestojnë, ndërsa, sipas tij, vazhdon të mbrojë me votat e saj ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Keni arrestuar sot Arben Kolën, 10 policë e morën zvarrë për t’ju mbrojtur ju sepse ai proteston. As këtë nuk e bëjnë dot më tani sepse rrezikojnë burgun. Ndërkohë që kryeministri refuzon të flasë”, deklaroi Shehaj.
Më tej, kreu i Partisë Mundësi komentoi edhe masat e shtuara të sigurisë rreth Kuvendit, duke i cilësuar ato si shenjë të frikës së qeverisë për t’u përballur me qytetarët që protestojnë.
“Blindoheni këtu sepse nuk dilni dot para protestuesve. Dy muaj protesta”, u shpreh Shehaj.
Një incident është shënuar gjatë protestës së zhvilluar këtë të hënë pranë Kuvendit të Shqipërisë, ku një i ri ka shfaqur probleme shëndetësore pasi ndaj tij policia ka hedhur spraj në fytyrë.
Për shkak të gjendjes së tij, në vendngjarje ka mbërritur një autoambulancë, ndërsa ekipi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë.
Më pas, i riu është transportuar drejt spitalit për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Ngjarja ndodhi në kohën kur protesta para Parlamentit u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat përdorën spraj me lëndë irrituese për të shpërndarë turmën dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.
Protesta e zhvilluar këtë të hënë para Kuvendit është shoqëruar me momente tensioni, ndërsa protestuesit kanë tentuar t'i afrohen godinës së Parlamentit dhe të çajnë kordonin e policisë.
Që në nisje të tubimit, qytetarët kishin marrë me vete domate, vezë dhe speca, të cilat do të përdoreshin për t'u hedhur në drejtim të ministrave dhe deputetëve gjatë mbërritjes së tyre në Kuvend.
Situata u tensionua kur një grup protestuesish lëvizi në rrugët përreth Parlamentit në përpjekje për të kaluar perimetrin e sigurisë të ngritur nga Policia e Shtetit. Efektivët bllokuan afrimin e tyre, duke mos lejuar thyerjen e kordonit policor.
Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën në disa momente spraj me lëndë irrituese për të larguar protestuesit dhe për të mbajtur situatën nën kontroll.
Përdorimi i vezëve ndaj zyrtarëve nuk është një zhvillim i ri. Edhe në seancën e kaluar parlamentare protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve që transportonin deputetët dhe ministrat në hyrje të godinës së Kuvendit.
Protesta po zhvillohet paralelisht me seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, ndërsa forca të shumta policie vijojnë të mbajnë të rrethuar zonën përreth Parlamentit.



Për protestën e sotme janë të angazhuara mbi 1500 forca policore, që kanë formuar kordonë në të gjithë zonën përreth Parlamentit.
Pesë persona janë shoqëruar deri më tani nga përplasjet mes protestuesve dhe policisë pranë Xhamisë së Namazgjasë. Mes të shoqëruarve është edhe njëri nga anëtarët e grupit organizator të protestës, Arben Kola.
Kola është kapur nga 4 policë që e mbajnë nga krahët e këmbët, kurse Kola ka ende megafonin në dorë.

Shoqërimi i tyre erdhi pasi protestuesit, për shkak të bllokadës së vendosur nga Policia e Shtetit përpara Parlamentit, kanë ndryshuar itinerarin e tubimit, duke marshuar fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas drejt Unazës së Madhe.

Protestuesit janë pozicionuar pranë kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit, ku kanë ndodhur edhe shoqërimet e para nga policia gjatë protestës së sotme.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura arsyet e shoqërimit të dy personave, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për këtë veprim.
Ndërkohë, protesta vijon në zonë, ndërsa forca të shumta policore janë të angazhuara për menaxhimin e situatës.Për protestën e sotme janë të angazhuara mbi 1500 forca policore, që kanë formuar kordonë në të gjithë zonën përreth Parlamentit.
Qytetarët janë mbledhur përpara Parlamentit dhe në pika të tjera strategjike rreth Kuvendit, ndërsa Policia ka ngritur një perimetër të përforcuar sigurie me FNSH, "Shqiponjat" dhe autobotë me ujë
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet këtë të hënë në seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar, e cila pritet të nisë në orën 10:00.
Paralelisht me zhvillimin e saj, qytetarët janë mbledhur në protestën e 58-të radhazi përpara godinës së Parlamentit, ndërsa masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm.
Protestuesit nuk do të qëndrojnë vetëm përpara Kuvendit, por janë organizuar në disa pika strategjike të kryeqytetit. Ata pritet të pozicionohen pranë Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe në Rrugën e Elbasanit, në pritje të mbërritjes së ministrave dhe deputetëve.
Për të garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe të seancës plenare, Policia e Shtetit ka vendosur një numër të madh efektivësh në terren. Perimetri i sigurisë është përforcuar me një gardh të gjerë policor, të përbërë nga dy rreshta të forcave "Shqiponja" dhe një rresht të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), ndërsa në gatishmëri janë vendosur edhe autobotë me ujë për ndërhyrje në rast të përshkallëzimit të situatës.

Sipas raportimeve nga terreni, në disa raste efektivët kanë tentuar t'i largojnë protestuesit nga pozicionet ku ishin vendosur, ndërsa deri në këto momente situata paraqitet e qetë dhe nuk janë shënuar incidente.
Ndërkohë, brenda sallës së Kuvendit, deputetët pritet të shqyrtojnë çështjet e parashikuara në rendin e ditës, ku përfshihen ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare, si edhe procedura të tjera parlamentare.
Vëmendja mbetet e përqendruar te zhvillimi i protestës jashtë Parlamentit dhe mbërritja e deputetëve e anëtarëve të qeverisë, ndërsa pritet të shihet nëse tubimi do të zhvillohet pa incidente deri në përfundim të seancës plenare.


Protesta zhvillohet në një moment kur Kuvendi pritet të përmbyllë sesionin e tij, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksionit qytetar dhe të thirrjeve kundër klasës politike.
Këtë të hënë, 27 Korrik do të mbahet seanca e fundit plenare e Kuvendit, që pritet të shoqërohet me një tjetër protestë qytetare, e thirrur përpara godinës së Parlamentit.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen në orën 08:0p, në shenjë pakënaqësie ndaj Kuvendit dhe klasës politike. Sipas tyre, protesta synon të ngrejë zërin kundër një institucioni që, siç pretendojnë organizatorët, është shkëputur nga shqetësimet dhe interesat e qytetarëve.
Tubimi i së hënës si vijim i revoltës qytetare që vijon prej 58 ditësh, ndërsa pritet që ashtu si në protestën e 23 korrikut, masat e sigurisë të jenë të shtuara.
Zona përreth Parlamentit pritet të jetë e rrethuar nga forca të shumta policie, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës.
Protesta zhvillohet në një moment kur Kuvendi pritet të përmbyllë sesionin e tij, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksionit qytetar dhe të thirrjeve kundër klasës politike.
Ndërkohë qytetarët do të rikthehen edhe këtë pasdite në protestën e përditshme kundër qeverisë, e cila ka hyrë tashmë në ditën e 58-të.
Tubimi nis në sheshin “Skënderbej” dhe më pas nis marshimi para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit pritet të përsërisin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndryshime politike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Edhe në ditët e mëparshme, protestuesit kanë marshuar në rrugët kryesore të Tiranës, duke u ndalur përpara institucioneve shtetërore, përfshirë Parlamentin, ku kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike.
Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Gjatë tubimeve janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si: “Dorëheqje!”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Nuk na përfaqësoni!”.
Lini një Përgjigje