TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES16 Korrik 2026, 20:52

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare, kërkohet largimi dhe arrestimi i Ramës

Shkruar nga Pamfleti
58 MINUTA ME PARE

Mbyllet marshimi i protestës së 47-të, qytetarët rikthehen para Kryeministrisë

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Mbyllet marshimi i ditës së 47-të të protestës qytetare. Pas përshkimit të rrugëve dhe akseve kryesore të Tiranës, qindra protestues janë rikthyer përpara godinës së Kryeministrisë, aty ku mbyllën zyrtarisht tubimin e kësaj të enjteje.

Gjatë marshimit, nga turma janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si: "Shqipëria kërkon revolucion", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", "Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë", "Rama, jep dorëheqjen!".

Në kor, pjesëmarrësit kanë brohoritur gjithashtu "Rama SPAK you!", ndërsa një tjetër thirrje që është përsëritur gjatë gjithë marshimit ka qenë "Parlament i krimit!".

Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola në duar, protestuesit mbyllën edhe ditën e 47-të të revoltës qytetare, e cila u shoqërua me fjalime të aktivistëve, mesazhe të shkruara në asfalt dhe një marshim që për disa minuta bllokoi disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.

Përpara shpërndarjes, organizatorët u lanë takim qytetarëve për ditën e nesërme, kur pritet të zhvillohet protesta e 48-të radhazi. Përmes megafonëve, ata u bënë thirrje pjesëmarrësve të rikthehen sërish në bulevard me një pjesëmarrje edhe më të madhe për të vijuar protestën dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.

1 ORE ME PARE

Nis marshimi i ditës së 47-të të protestës, qindra qytetarë "derdhen" në rrugët e Tiranës

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Nis marshimi qytetar në ditën e 47-të të protestës. Qindra protestues i janë bashkuar edhe këtë të enjte tubimit qytetar, duke vijuar pa u ndalur revoltën, thirrjet dhe kërkesat e tyre drejtuar qeverisë.

Pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej" dhe mbajtjes së fjalimeve përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.

Nga turma dëgjohen vazhdimisht thirrje si: "Shqipëria kërkon revolucion", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", "Pa dhënë dorëheqjen nuk ndalojmë", "Rama, jep dorëheqjen!".

Në kor, pjesëmarrësit kanë brohoritur gjithashtu “Rama SPAK you!”, ndërsa një tjetër thirrje e përsëritur prej tyre ka qenë “Parlament i krimit”.

Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola në duar, ata po marshojnë në rrugët e kryeqytetit, ndërsa në përfundim të itinerarit do të rikthehen sërish përpara Kryeministrisë, ku si çdo ditë do të mbyllin protestën.

 

 

1 ORE ME PARE

Pankartat bëhen virale, qytetarët 'bombardojnë' politikën me mesazhe ironike

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Edhe sot, në ditën e 47-të të protestës qytetare përpara Kryeministrisë, pankartat u shndërruan në një nga elementët më të spikatur të tubimit. Me humor, ironi, satirë dhe mesazhe të drejtpërdrejta, protestuesit shënjestruan qeverinë, opozitën dhe gjithë klasën politike, duke i kthyer pankartat në një nga "armët" më të forta të revoltës.

Në shesh ishin të pranishëm qytetarë të të gjitha grupmoshave, fëmijë, të rinj, studentë, prindër dhe të moshuar, të cilët mbanin në duar pankarta me mesazhe politike, sociale dhe patriotike, të shoqëruara shpesh me fotomontazhe dhe karikatura.

Një nga pankartat më të komentuara ironizonte kryeministrin Edi Rama me mbishkrimin "Krisma në Bruksel, dhitet nusja n'kal", ndërsa një tjetër e paraqiste atë si një "specie të re gjeli", me shkrimin në anglisht: "New Rooster Species Found in Albania".

Mesazhet nuk kursyen as figurat e tjera publike. Një pankartë ironizonte një deklaratë të gazetares Ilnisa Agolli me shkrimin "O belege Elbasëni im... n'a hape barkun, s'le gja pa lëpi!", ndërsa një tjetër shfaqte foton e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, me mbishkrimin "Non grata? F*ck you", duke iu referuar deklaratave të saj për Kosovën.

Në mesin e pankartave binin në sy edhe mesazhet e qëndresës qytetare.

"47 ditë. Ne nuk tërhiqemi. Nesër edhe më shumë", shkruhej në një prej tyre, ndërsa një tjetër theksonte: "46 ditë. Nuk është më një protestë. Është qëndresë".

Një tjetër pankartë përcillte mesazhin: "Ne nuk jemi numra. Jemi zëra! Qeveria duhet të dëgjojë, jo të heshtë!".

Ndërkohë nuk munguan as pankartat me thirrje për drejtësi dhe llogaridhënie.

"Kur padrejtësia bëhet ligj, qëndresa bëhet detyrë", shkruhej në një prej tyre, ndërsa një tjetër paraqiste tre zogj me pankartat "Dua drejtësi", "Dua zgjedhje", "Dua llogaridhënie", të shoqëruar me mesazhin: "Etiketat nuk ndryshojnë të vërtetën".

Në protestë u shfaqën edhe pankarta me motive patriotike, ku ishin vendosur figurat e Skënderbeut, Shotë Galicës, Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit, Bajram Currit dhe Ismail Qemalit, me mbishkrimin: "Patriotët – Gjaku i tyre, liria jonë!".

Një grup protestuesish zgjodhën të përcjellin mesazhin e tyre edhe përmes vargjeve të njohura kushtuar Shqipërisë, ndërsa të tjerë ekspozuan karikatura politike dhe fotomontazhe që ironizonin zhvillimet e fundit politike.

Pankartat, të shoqëruara me brohoritje dhe duartrokitje, u bënë edhe këtë herë një nga elementët më tërheqës të protestës, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve dhe të mediave, ndërsa organizatorët theksuan se revolta qytetare do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

2 ORE ME PARE

"T'i japim fund tranzicionit", aktivistja: Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Protesta e 47-të qytetare para godinës së Kryeministrisë vijoi me fjalime të aktivistëve, të cilët përsëritën kritikat ndaj klasës politike dhe institucioneve të drejtësisë.

Mes folësve ishte edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila deklaroi se protesta synon t'i japë fund tranzicionit politik dhe kërkoi që hetimet të shtrihen deri te drejtuesit më të lartë të qeverisë.

"Ky shesh e ka treguar qartë qëndrimin e vet ndaj klasës së korruptuar politike 36-vjeçare. Kemi qenë këtu çdo ditë për të thënë se jemi këtu për t'i dhënë fund tranzicionit shqiptar me një klasë të vetme të korruptuar politike, që vetëm ka ndërruar anën, por asnjëherë nuk ka lëshuar pushtetin! Edi Rama të hetohet si koka e një organizate kriminale dhe jo si kryeministër i Shqipërisë!", deklaroi Vatnikaj.

Në vijim të fjalës së saj, aktivistja tha se mbështetja për SPAK-un dhe GJKKO-n nuk është e pakushtëzuar, por shoqërohet me kërkesën që drejtësia të veprojë ndaj të gjithë zyrtarëve të dyshuar për korrupsion.

"Kemi qenë dhe jemi në mbështetje të punës së SPAK dhe GJKKO, por jo me sy mbyllur, por me kërkesë: Hetoni Ramën, arrestoni Ballukun! Hetoni të gjithë të korruptuarit, ata që për 36 vite kanë futur duart në xhepat tanë!", u shpreh ajo mes brohoritjeve të protestuesve.

Fjalimi i Vatnikajt u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila vijoi me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

2 ORE ME PARE

Studentët me pelerina diplomimi në protestë, e reja: Nuk largohemi, o klasë e kalbur politike!

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Një e re, pjesëmarrëse në protestën e 47-të qytetare, iu drejtua me një mesazh të fortë klasës politike, duke deklaruar se të rinjtë nuk do të heqin dorë nga protestat dhe nuk do të largohen nga vendi.

Ajo theksoi se në tubim ishin bashkuar shumë të rinj dhe studente, të cilët u shfaqën të veshur me pelerinat e diplomimit për të përcjellë një mesazh simbolik.

"Sot janë bashkuar të gjithë, të rinj e të reja. Studentët janë veshur me pelerinat e diplomimit dhe kanë një mesazh për të gjithë ju. Po mendoni se jemi lodhur dhe do të largohemi edhe ne", u shpreh studentja.

Në vijim të fjalës së saj, qytetarja iu drejtua qeverisë dhe klasës politike, duke theksuar se të rinjtë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri dhe të kërkojnë ndryshim.

"O ju të dashur qeveritarë, klasë e kalbur politike, po jua rikujtojmë edhe një herë: ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi", u shpeh ajo dhe theksoi rëndësinë e rinisë për të ardhmen e vendit.

"Nëse e ardhmja e Shqipërisë është në Shqipëri, pa rini nuk ka Shqipëri", theksoi protestuesja.

2 ORE ME PARE

"Deputetë që bëni gjasme dhe rrini në pushtet", Lika 'thumbon' Spiropalin nga protesta

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Organizatori i protestës qytetare, Edison Lika, ka kritikuat deputetët socialistë që, sipas tij, përpiqen të shfaqen si kritikë të qeverisë, por vijojnë të mbeten pjesë e Partisë Socialiste.

Pa përmendur emra, deklarata e tij u interpretua si një referencë ndaj deputetes Elisa Spiropali, e cila së fundmi dorëzoi në Asamblenë e PS-së një mocion për hapjen e partisë.

Nga protesta para Kryeministrisë, Lika tha se qytetarët mbështesin këdo që i del përballë qeverisë, por nuk pranojnë, sipas tij, qëndrime të paqarta.

"Ne inkurajojmë këdo që i del para këtij regjimi. Ne kërkojmë nga SPAK hetimin e Ramës, si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar. Por ne nuk do të mjaftohemi as me deputetë që bëjnë gjasme sikur i dalin përballë partisë, por vijojnë të jenë brenda partisë. Ne kërkojmë që lëvizjet e kujtdo të jenë të qarta, të dukshme dhe në kohezion me kërkesat e sheshit", deklaroi aktivisti.

2 ORE ME PARE

Qytetari thirrje SPAK-ut nga protesta: Arrestoni Edi Ramën!

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Protesta e 47-të qytetare para godinës së Kryeministrisë vijoi me fjalime të qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët përsëritën kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe hetimin e aferave që kanë shoqëruar qeverisjen.

Një prej protestuesve u ndal te çështja e ligjit për zonat e mbrojtura, duke deklaruar se edhe Bashkimi Evropian ka mbajtur të njëjtin qëndrim me protestuesit.

"BE ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar qeverisë atë që i kemi kërkuar ne, anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura! I kërkojmë gjithashtu SPAK që të vazhdojë hetimet, në rast se i ka nisur hetimet, të mos i ndalojë deri sa të vendoset para akuzës Edi Rama!", u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, protestuesi ngriti pikëpyetje edhe mbi përgjegjësinë e kryeministrit për aferat që kanë përfshirë ish-zyrtarë të qeverisë. Protestuesi i bëri gjithashtu thirrje Prokurorisë së Posaçme që hetimet të mos ndalen te zyrtarët e tjerë, por të çojnë edhe në arrestimin e kryeministrit Edi Rama.

"Si ka mundësi që një kryeministër që ka shumë ministra të akuzuar dhe disa në burg, të mos merret si i pandehur?! A ka mundësi që gjithë këto afera të kësaj qeverie ndër vite të kenë ndodhur pa dijeninë e kryeministrit? Pse e ka emrin kryeministër, ai i drejton!", deklaroi protestuesi.

Fjalimi u prit me duartrokitje nga pjesëmarrësit në tubim, ndërsa protesta para Kryeministrisë vijoi me thirrje dhe kërkesa të tjera drejtuar qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë.

2 ORE ME PARE

"Kjo lëvizje nuk hyn në negociata", mesazhi i fortë i aktivistit para Kryeministrisë

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Pas marshimit nga sheshi "Skënderbej" drejt Kryeministrisë, protestuesit u ndalën përpara godinës së qeverisë, ku nisën fjalimet në ditën e 47-të të protestës qytetare.

I pari që mori fjalën ishte aktivisti Edison Lika, i cili theksoi se lëvizja nuk ka një drejtues apo përfaqësi politike dhe se përfaqësuesit e saj janë vetë qytetarët që marrin pjesë në protestë.

"Kjo lëvizje as nuk mund të bëhet pis, as të preket nga askush. Ndaj i themi çdokujt që tenton të përfaqësojë këtë lëvizje se nuk do ja dalë dot! Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje janë të gjithë këta që janë në shesh! Kjo lëvizje nuk ka përfaqësi, por prani fizike në shesh! Kjo lëvizje nuk do futet kurrë në negociata sepse kërkesat i ka të qarta. Nuk kemi për të negociuar me askënd",  deklaroi Lika.

Aktivisti ritheksoi se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme të hetojë kreun e qeverisë.

"Pika e parë e kësaj proteste është ajo që kemi kërkuar prej ditës së parë dhe është dorëheqja e Ramës! Ne kërkojmë nga SPAK hetimin e Edi Ramës si koka kriminale e këtij sistemi të korruptuar!", u shpreh Lika mes brohoritjeve të protestuesve.



3 ORE ME PARE

"Edhe sa kohë duhet të presim?", protestuesi shfaqet me orë simbolike në shesh

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Një moment simbolik tërhoqi vëmendjen gjatë protestës së 47-të kundër qeverisë, teksa një i ri u shfaq para Kryeministrisë me një orë në dorë, në të cilën ishte shkruar mesazhi: "Edhe sa kohë na duhet të presim?".

Sipas tij, ora simbolizon premtimet që nuk janë mbajtur ndër vite, duke përmendur furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë, shërbimin shëndetësor, infrastrukturën, energjinë elektrike dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

"Ky është një mesazh shumë i thjeshtë për të gjitha gjërat që ka premtuar Edi Rama. Dhe pyetja është shumë e qartë: edhe sa kohë duhet të presim për ujë 24 orë? Edhe sa kohë duhet të presim për një shëndetësi të denjë? Edhe sa kohë duhet të presim për drita 24 orë? Edhe sa kohë duhet të presim për një infrastrukturë bazike? Sa kohë duhet të presim që të anëtarësohemi në BE?", u shpreh ai.

I riu tha se këto kanë qenë premtime të përsëritura në fushata zgjedhore, por sipas tij nuk janë realizuar.

"Këto janë të gjitha premtime fushate dhe dua që qytetarët t'i mbajnë mend. Para se të votojnë, gjithmonë bëhen premtime: 'Do bëjmë ujin 24 orë, dritat 24 orë, do anëtarësohemi në BE, do bëjmë trenin, do bëjmë shumë gjëra', por asnjëra nga ato nuk është bërë", shtoi ai.

Gjithashtu, ai bëri edhe një pyetje tjetër që, sipas tij, përmbledh arsyen e protestës. Protestuesi theksoi se është pjesë e tubimeve që prej protestave në Zvërnec dhe tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet.

"Dhe pyetja ime është shumë e thjeshtë, edhe sa kohë duhet të presim që ne të kemi një jetë të denjë në Shqipëri?. Unë kam qenë që në protestat në Zvërnec, nuk jam i lodhur aspak. Lodhja është e panegociueshme në momentin që nevojat bazike janë në rrezik", përfundoi qytetari.

3 ORE ME PARE

Qytetarët nuk heqin dorë, dita e 47-të e protestës kundër qeverisë dhe klasës politike

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Në ditën e 47-të të protestës, qindra qytetarë marshuan sërish drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, largimin e gjithë klasës politike dhe ndryshim të mënyrës së qeverisjes.

Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të enjte përpara Kryeministrisë, në ditën e 47-të të protestës së tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Ajo që nisi si një reagim kundër projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit është shndërruar në një lëvizje me kërkesa më të gjera, ku protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.

Qindra qytetarë u grumbulluan fillimisht në sheshin "Skënderbej", dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë. Gjatë tubimit, aktivistë dhe qytetarë do të mbajnë fjalime dhe do të shprehin pakënaqësitë për mënyrën e qeverisjes, situatën ekonomike dhe standardin e jetesës në vend.

Protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa kryeministri Rama të japë dorëheqjen. Njëkohësisht, ata kërkojnë edhe largimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe të gjithë klasës politike.

Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, tubimi do të shoqërohet me brohoritje, këngë patriotike dhe pankarta me mesazhe ironizuese ndaj qeverisë dhe politikës.

Gjatë marshimit drejt Kryeministrisë u dëgjuan thirrjet: "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!", "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!", "Jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!".

Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit kërkojnë ndryshim të sistemit politik dhe rikthimin e demokracisë përfaqësuese.

Sipas organizatorëve, protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Gjatë marshimit në bulevardin para Kryeministrisë pati brohoritje të vazhdueshme, këngë patriotike dhe pankarta ironizuese drejtuar qeverisë dhe gjithë klasës politike.

3 ORE ME PARE

Nis protesta e 47-të kundër Ramës, qytetarët mblidhen në sheshin "Skënderbej"

Minutë pas minute/ Asgjë nuk e ndal revoltën qytetare,

Ka nisur protesta e 47-të kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar. Disa prej qytetarëve janë mbledhur në sheshin "Skënderbej", përpara marshimit të paralajmëruar drejt godinës së Kryeministrisë.

Mes atyre që iu bashkuan protestës ishte edhe një i moshuar, i cili shprehu pakënaqësinë për gjendjen ekonomike dhe shërbimet publike në vend.

"Çdo gjë është kundër popullit. Rrogat janë të vogla, spitalet janë copë-copë. Rama nuk e pranon situatën, asgjë nuk shkon në këtë vend, nuk po shohim asgjë të mirë", u shpreh ai.

Protesta pritet të vijojë me marshimin përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ndërsa pjesëmarrësit me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrjet "Rama n'burg, Berisha n'burg", kërkojnë jo vetëm largimin e qeverisë, por edhe ndryshim të të gjithë klasës politike në vend.

 

Lini një Përgjigje