
Kreu i "Lëvizja Bashkë", Arlind Qori, ka folur lidhur me protestën e 47-të qytetare. Ai deklaroi se qeveria dhe kryeministri po refuzojnë të lexojnë mesazhin e protestës dhe po i përgjigjen pakënaqësisë qytetare me teori konspirative. Ai thekoi se, pjesëmarrja në protestë ka qenë e paprecedentë.
"Mbi 100 mijë vetë kanë marrë pjesë në këto 47 ditë në protestë. Kurrë nuk është protestuar kaq shumë dhe kaq gjatë. Është rekord që besoj se konkuron edhe me shoqëri më të përparuara", tha ai.
Qori u shpreh gjithashtu se problemet që kanë nxjerrë qytetarët në shesh janë reale dhe akuzoi kryeministrin se nuk pranon t'i shohë ato.
"Problemet që shtyjnë qytetarët në protestë janë të shumta. Rama hiqet sikur është kryeministri i Finlandës dhe thotë se këto janë pakënaqësi që vijnë nga mirëqenia", shtoi ai.
Ai renditi si shqetësime mbylljen e bizneseve, largimin e qytetarëve nga vendi dhe gjendjen në sistemin shëndetësor.
"Ka biznese që mbyllen, 50 mijë qytetarë që largohen çdo vit pasi nuk gjejnë punë, mundësi. Ka pafund qytetarë që përplasen në spitalet publike, nuk ka ilaçe, aparatura. Vetë QSUT kërkonte bamirësi, mbështetjen e qytetarëve për të blerë pajisje, ndërkohë qeveria gjen miliona euro për t'ia dhënë një këngëtari miliarder, me simpati për Hitlerin dhe llumin e njerëzimit", vijoi Qori.
Qori theksoi se protesta ka ndryshuar klimën shoqërore dhe se qytetarët nuk kanë më frikë. Ai kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, qeveria po e interpreton protestën.
"Tashmë qytetarët kanë vrarë frikën, kanë njohur njëri-tjetrin, kanë parë sa shumë janë, që e duan ndryshimin. Mënyra si Rama dhe përfaqësues të PS e kanë interpretuar protestën lë shijen e një pushteti që ka humbur kontaktin me shoqërinë dhe fund e krye autokratik. Teoritë e konspiracionet i përdorin Putin, Vuçiç dhe Lukashenko. Këta janë shokët ideologjikë të Ramës në Evropë", tha ai.
Në fund, Qori deklaroi se shoqëria shqiptare ka tejkaluar klasën politike aktuale dhe se protesta ka dëshmuar një nivel të lartë angazhimi qytetar.
"Shoqëria, Ramën, PS, partitë e tjera, i ka tejkaluar. Nuk kërkohet kot Shqipëri e re; nuk është mesazh utopik, por dëshirë konkrete për begati, liri, drejtësi shoqërore. Protesta ka ulje-ngritjet e veta, por fakti që mijëra qytetarë paraqiten dhe marshojnë, më ka befasuar për mirë, që shoqëria shqiptare paska qenë edhe më mirë se çfarë e mendonim", përfundoi kreu i "Lëvizja Bashkë".
Lini një Përgjigje