Dinamo ka dhuruar një paraqitje spektakolare në transfertën ndaj Astanës, duke triumfuar me rezultatin e thellë 4-1 në Kazakistan dhe duke prerë biletën për në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Skuadra kryeqytetase dominoi sfidën, me golat e shënuar nga Dita, Berisha, Vila dhe Koma, që vulosën një kualifikim bindës. Me këtë sukses, Dinamo vazhdon rrugëtimin në arenën europiane dhe synon të përsërisë e pse jo të tejkalojë arritjen e sezonit të kaluar, kur mbërriti deri në fazën "play-off" të kompeticionit.
Përveç kualifikimit, kjo fitore ka edhe një vlerë historike. Rezultati 4-1 ndaj Astanës është tashmë fitorja më e thellë e një skuadre shqiptare në transfertë në historinë e Ligës së Konferencës.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga Teuta, e cila në sezonin 2021-2022 kishte mposhtur me rezultatin 3-0 Inter D'Escaldes.
Ndërkohë, suksesi në Europë ka sjellë edhe përfitime të rëndësishme financiare. Edhe në rast se Dinamo nuk arrin të kalojë më tej, klubi ka siguruar tashmë rreth 700 mijë euro nga pjesëmarrja në kompeticion.
Sot, dinamovitët do të mësojnë edhe kundërshtarin që do të kenë përballë në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku do të synojnë të vazhdojnë aventurën e tyre europiane.
Lini një Përgjigje