Reali i Madridit ka nisur të mendojë për të ardhmen dhe drejtuesit e klubit kanë identifikuar Erling Halandin si kandidatin ideal për të udhëhequr sulmin në rast të një largimi të mundshëm të Vinicius Zhuniorit nga “Santiago Bernabeu”.
Sipas gazetarit Karlos Karpio, negociatat mes klubit madrilen dhe sulmuesit brazilian për rinovimin e kontratës ende nuk kanë prodhuar një marrëveshje përfundimtare. Palët kanë zhvilluar diskutime të gjata, por pengesa kryesore mbetet çështja financiare, veçanërisht paga dhe bonuset e rinovimit.
Reali nuk dëshiron të ndryshojë ndjeshëm strukturën e tij të pagave, ndërsa kontrata aktuale e Viniciusit është e vlefshme deri në qershorin e vitit 2027. Nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, braziliani do të ketë mundësinë të nisë bisedimet me klube të tjera që nga janari i atij viti.
Në një skenar të tillë, “Los Blancos” do të përballeshin me një dilemë të madhe: ta shesin yllin brazilian para përfundimit të kontratës ose të rrezikojnë ta humbasin pa përfituar të ardhura nga transferimi.
Në rast largimi të Viniciusit, emri i Erling Halandit është ai që kryeson listën e dëshirave të drejtuesve madrilenë. Reali raportohet se është tashmë në dijeni të kushteve financiare të mundshme për transferimin e sulmuesit norvegjez nga Mançester Siti.
Haland prej kohësh konsiderohet një objektiv madhor i klubit spanjoll, ndërsa presidenti Florentino Perez synon të vazhdojë projektin e tij për ndërtimin e një skuadre të mbushur me yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.
Lini një Përgjigje