Përshkallëzohen tensionet në Gjirin Persik. Pas sulmit ndaj centralit bërthamor në ndërtim në Darkhovin dhe alarmit në Bahrein e Jordani, autoritetet kuvajtiane njoftojnë se një tjetër impiant i prodhimit të energjisë dhe desalinizimit të ujit është goditur nga një sulm iranian.
Përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe SHBA-së po shtrihet gjithnjë e më shumë në vendet e Gjirit. Autoritetet e Kuvajtit njoftuan se një stacion i prodhimit të energjisë elektrike dhe desalinizimit të ujit është goditur për herë të dytë brenda dy ditësh, duke shkaktuar zjarr në disa prej objekteve të tij.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin X, Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Burimeve të Rinovueshme të Kuvajtit tha se impianti u godit gjatë një sulmi iranian dhe se ekipet e zjarrfikësve janë angazhuar për të vënë nën kontroll flakët.
Sulmi vjen vetëm pak orë pasi Organizata Iraniane e Energjisë Atomike akuzoi SHBA-në se goditi me disa predha centralin bërthamor në ndërtim në Darkhovin, në provincën iraniane të Khuzestanit. Sipas Teheranit, sulmi ndodhi gjatë natës, ndërsa autoritetet iraniane e dënuan atë si një akt agresioni.
Ndërkohë, në Bahrein u aktivizuan sirenat e alarmit për shkak të sulmeve me raketa dhe dronë në rajon, ndërsa Jordania hodhi poshtë njoftimet për një kërcënim ndaj aeroportit dhe portit të Aqabas, pavarësisht paralajmërimit të Ambasadës së SHBA-së që u kërkoi qytetarëve amerikanë të shmangnin këto zona për shkak të një "kërcënimi specifik dhe të besueshëm".
Në ditët e fundit, Kuvajti ka raportuar disa sulme ndaj infrastrukturës së tij jetike, përfshirë impiantet e energjisë, objektet e desalinizimit të ujit dhe instalimet e industrisë së naftës. Sulmet kanë shkaktuar zjarre dhe të plagosur, mes tyre zjarrfikës dhe civilë.
Nga ana tjetër, Irani vazhdon të këmbëngulë se objektivat e tij janë vetëm bazat dhe asetet ushtarake amerikane në rajon, ndërsa vendet e Gjirit e kanë dënuar ashpër goditjen e infrastrukturës civile, duke paralajmëruar se sulme të tilla rrezikojnë të përshkallëzojnë më tej konfliktin në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje