TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Korrik 2026, 21:39

Mbyllet marshimi i 50-të, qytetarët paralajmërojnë protestë nesër para Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

Mbyllet marshimi i 50-të, qytetarët paralajmërojnë

Mbyllet marshimi i protestës së 50-të qytetare pas një itinerari në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar protestën e radhës, e cila do të zhvillohet nesër para Kuvendit.

Protestuesit nisën marshimin nga Bulevardi "Zhan D'Ark", vijuan drejt zonës së ish-Bllokut, më pas kaluan pranë Librit Universitar dhe në përfundim u rikthyen në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku u mbyll edhe protesta.

Gjatë ecjes nëpër qytet, ata u ndalën në disa nga zonat më të frekuentuara, duke u bërë thirrje qytetarëve që t'u bashkohen protestave dhe duke përsëritur sloganin: "Shqipëria kërkon revolucion!"

"Bashkohuni me ne!", ishte një nga thirrjet më të dëgjuara gjatë marshimit, ndërsa protestuesit ftuan kalimtarët dhe qytetarët e pranishëm të marrin pjesë edhe në protestën e planifikuar për nesër përpara Kuvendit.

Marshimi u shoqërua edhe me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. "Rama, jep dorëheqjen!", "Ju erdhi fundi!" dhe slogane të tjera u dëgjuan përgjatë itinerarit, ndërsa protestuesit theksuan se aksioni i tyre do të vijojë edhe në ditët në vijim.

Në përfundim të marshimit, qytetarët ritheksuan thirrjen për mobilizim, duke paralajmëruar protestën e nesërme para Kuvendit si vijim të qëndresës së tyre.

Lini një Përgjigje