TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Korrik 2026, 22:54

A e ndihmoi Rusia, Iranin të godiste bazat e CIA-s?

Shkruar nga Pamfleti
A e ndihmoi Rusia, Iranin të godiste bazat e CIA-s?
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtrëngon duart me Presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian

Takimi mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në margjinat e samitit të vendeve të Azisë Juglindore në Manila u përqendrua zyrtarisht te lufta në Ukrainë. Megjithatë, ai u zhvillua në një klimë të tensionuar pas raportimeve të reja se Rusia mund të ketë luajtur një rol më të madh nga sa është pranuar publikisht në sulmet iraniane ndaj objektivave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Sipas agjencisë Reuters, sulmet me dronë të Iranit ndaj objekteve të lidhura me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA), përfshirë stacionin e saj në Ambasadën e SHBA-së në Arabinë Saudite, kanë shtyrë shërbimet amerikane të inteligjencës të hetojnë nëse Moska ka ofruar mbështetje për Teheranin. Burime të cituara nga Reuters thonë se saktësia dhe efektiviteti i sulmeve kanë ngritur dyshime për ndihmë të jashtme.

Më herët, The Washington Post raportoi se një stacion i CIA-s në Ambasadën amerikane në Riad ishte vënë në shënjestër, ndërsa CNN, duke cituar burime të inteligjencës amerikane, raportoi se Rusia kishte ndihmuar Iranin të lokalizonte personelin dhe avionët amerikanë në rajonin e Gjirit.

Nicole Grajewski, profesore në Qendrën për Kërkime Ndërkombëtare të universitetit Sciences Po në Paris, tha për Al Jazeera se një përfshirje ruse është një hipotezë "realiste".

Sipas saj, Irani nuk disponon kapacitetet satelitore ushtarake që ka Rusia, çka mund të shpjegojë saktësinë më të madhe të sulmeve të fundit.

"Irani nuk ka kapacitete të avancuara hapësinore si Rusia. Krahasuar me Moskën, ai nuk ka satelitë të mjaftueshëm ushtarakë, ndaj duket e mundshme që të jetë arritur një marrëveshje me rusët", u shpreh Grajewski.

Megjithatë, ajo theksoi se Irani ka gjithashtu rrjete të zhvilluara të inteligjencës njerëzore në rajon, të cilat shpesh nënvlerësohen.

Bashkëpunim më i ngushtë pas luftës në Ukrainë

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Iranit janë forcuar ndjeshëm që pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Teherani furnizoi Moskën me dronë Shahed dhe raketa balistike Fateh-110 për përdorim në luftë, ndërsa vitin e kaluar të dy vendet nënshkruan një Traktat Gjithëpërfshirës të Partneritetit Strategjik 20-vjeçar.

Megjithatë, zyrtarë rusë kanë këmbëngulur se marrëveshja nuk përbën një aleancë ushtarake dhe nuk parashikon ndihmë të ndërsjellë në rast konflikti.

Raporte të mëparshme kanë pretenduar gjithashtu se Rusia i ka furnizuar Iranit sistemin rus të navigimit Kometa-M, i projektuar për t'i bërë dronët më rezistentë ndaj ndërhyrjeve elektronike. Sipas raportimeve, pjesë të këtij sistemi u gjetën në mbetjet e një droni Shahed-136 pas një sulmi të dështuar iranian ndaj një baze të Forcave Ajrore Mbretërore britanike në Qipro.

Moska i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar raportimet si "lajme të rreme".

Sipas Grajewski, përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit i shërben deri diku interesave të Rusisë, pasi largon vëmendjen ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë dhe mund të dobësojë ndikimin global të Shteteve të Bashkuara.

cia iran rusi

Lini një Përgjigje