TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Korrik 2026, 11:38

Izraeli synon të marrë nën kontroll Pellgjet e Solomonit, një prej thesareve historike pranë Betlehemit

Shkruar nga Pamfleti

 

Izraeli synon të marrë nën kontroll Pellgjet e Solomonit,
Pellgjet e Solomonit

 

Autoritetet palestineze dhe aktivistët akuzojnë qeverinë izraelite se po përpiqet të marrë nën kontroll një nga sistemet më të vjetra të furnizimit me ujë në botë, duke e cilësuar këtë një përshkallëzim të konfliktit për tokën dhe trashëgiminë historike në Bregun Perëndimor.

Një kompleks me rëndësi të jashtëzakonshme historike pranë Betlehemit është shndërruar në pikën më të re të përplasjes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Bëhet fjalë për Pellgjet e Solomonit, një sistem antik rezervuarësh uji, të cilin ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se Izraeli duhet ta marrë nën kontroll.

Në muajin maj, Smotrich e cilësoi si "një nga gabimet më të mëdha" marrëveshjet e Oslos, të cilat më shumë se 30 vjet më parë ia lanë administrimin e zonës Autoritetit Palestinez. Ai deklaroi se qeveria izraelite po punon për të "korrigjuar dëmin" e shkaktuar nga këto marrëveshje.

Pas këtyre deklaratave, sipas banorëve dhe organizatave lokale, është shtuar prania e kolonëve izraelitë dhe forcave ushtarake në zonë. Në korrik, ushtarë izraelitë hynë në kompleks dhe përdorën gaz lotsjellës, ndërsa në rezervuarë ndodheshin fëmijë që po laheshin.

Një monument me mbi 2.000 vjet histori

Pellgjet e Solomonit ndodhen rreth 3.5 kilometra në jugperëndim të Betlehemit dhe përbëhen nga tre rezervuarë gjigantë të ndërtuar në periudha të ndryshme historike.

Origjina e tyre daton që në shekullin II para erës sonë, ndërsa ndërtimi më i madh u realizua nga romakët një shekull më vonë, si pjesë e një sistemi inxhinierik që përfshinte rezervuarë, ujësjellës dhe tunele për të transportuar ujin drejt Jerusalemit, rreth 13 kilometra larg.

Izraeli synon të marrë nën kontroll Pellgjet e Solomonit,

Gjatë Perandorisë Osmane u ndërtua edhe rezervuari i tretë monumental, si dhe një fortesë për të mbrojtur furnizimin me ujë. Në periudhën e Mandatit Britanik sistemi u modernizua me pompa dhe tubacione metalike.

Sot rezervuarët nuk furnizojnë më Jerusalemin me ujë, por janë kthyer në një nga hapësirat më të rëndësishme rekreative për banorët e Betlehemit dhe fshatrave përreth.

Një strehë për banorët e Betlehemit

Në fundjavë dhe gjatë festave, qindra familje palestineze vizitojnë Pellgjet e Solomonit për t'u larë, për të kaluar kohë në natyrë dhe për të bërë piknik.

Me zgjerimin e vendbanimeve izraelite përreth Betlehemit, zona është bërë një nga të paktat hapësira të gjelbra që kanë mbetur në dispozicion të banorëve.

Izraeli synon të marrë nën kontroll Pellgjet e Solomonit,

"Është i vetmi vend në Betlehem ku mund të gjesh ujë, hije dhe gjelbërim. Tani po përpiqen ta marrin edhe këtë", tha Mahmoud Jaber, një aktivist dhe kultivues nga fshati Artas.

Përplasja për historinë dhe territorin

Pellgjet kanë rëndësi jo vetëm për banorët, por edhe për trashëgiminë botërore. Me një kapacitet të përbashkët prej rreth 250 mijë metrash kub ujë, ato konsiderohen një nga sistemet antike të furnizimit me ujë më të mëdha dhe më të ruajtura në botë.

Sipas Marrëveshjes së Dytë të Oslos të vitit 1995, kompleksi ndodhet në Zonën A, e cila është nën administrimin civil dhe policor të Autoritetit Palestinez.

Megjithatë, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e mbështetur nga partitë e së djathtës ekstreme, ka intensifikuar përpjekjet për të zgjeruar kontrollin izraelit në Bregun Perëndimor. Analistët paralajmërojnë se një marrje e mundshme e Pellgjeve të Solomonit do të krijonte një precedent të ri, duke vënë në pikëpyetje statusin e zonave që, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, administrohen nga palestinezët.

Arkeologu izraelit Alon Arad, drejtues i organizatës Emek Shaveh, e cila merret me mbrojtjen e vendeve arkeologjike, tha se ky vend po përdoret për të minuar Marrëveshjet e Oslos.

"Siti po përdoret si mjet për të zbehur dhe, në thelb, për të shfuqizuar Marrëveshjet e Oslos", deklaroi ai, duke shtuar se në Bregun Perëndimor ndodhen rreth 6.000 vende arkeologjike, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre lidhen me trashëgiminë hebraike. /The Guardian

izraeli pellgjet e solomonit

Lini një Përgjigje