Elbasani i ka dhënë fund aventurës së tij europiane që në raundin e parë të Ligës së Konferencës. Në debutimin e verdhebluve në arenën ndërkombëtare, skuadra u eliminua nga BATE Borisov vetëm pas goditjeve të penalltive, në një përballje që u mbyll me shumë dramë.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Elbasan, ekipi i drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç udhëtoi drejt Azerbajxhanit me besimin se mund të siguronte kualifikimin. Përballë kishte një BATE që po kalon një sezon të vështirë në kampionatin bjellorus, ku rrezikon edhe rënien nga kategoria.
Megjithatë, në fushën e lojës Elbasani nuk arriti të shfaqte potencialin e pritur në fazën sulmuese. Verdheblutë krijuan pak raste të rrezikshme gjatë 120 minutave, ndërsa portieri Aleksovski u bë protagonist me disa ndërhyrje vendimtare, duke mbajtur në lojë skuadrën shqiptare.
Me kohën e rregullt dhe shtesat që përfunduan në barazim pa gola, fati i kualifikimit u vendos nga pika e bardhë. Elbasani ishte pranë kalimit në turin tjetër, por Karrica gaboi penalltinë e pestë që mund t'i siguronte kualifikimin skuadrës. BATE përfitoi nga ky moment, ndërsa në vazhdim Epito goditi traversën, duke vulosur eliminimin e verdhebluve dhe fundin e ëndrrës europiane për këtë sezon.
Lini një Përgjigje