Më shumë se 800 zjarre pyjore vazhdojnë të përfshijnë Kanadanë, ndërsa tymi i dendur po përhapet drejt jugut, duke përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në disa shtete të SHBA-së dhe duke ngritur shqetësime edhe për zhvillimin e finales së Kupës së Botës të dielën në Nju Xhersi.
Sipas Qendrës Ndërinstitucionale Kanadeze për Zjarret Pyjore, aktualisht në vend janë aktive 857 zjarre, përfshirë 23 vatra të reja që shpërthyen vetëm gjatë së enjtes.
Të dhënat e Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret Pyjore tregojnë se shumica dërrmuese e tyre vazhdojnë të përhapen jashtë kontrollit.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë zgjeruar paralajmërimet për cilësinë e ajrit në disa shtete. Në zona të mëdha të Miçiganit dhe Minesotës, cilësia e ajrit është klasifikuar si "e rrezikshme" sipas Indeksit Amerikan të Cilësisë së Ajrit, ndërsa banorëve u është rekomanduar të qëndrojnë brenda ambienteve të mbyllura.
Toronto right now
— Wall St Engine (@wallstengine) July 15, 2026
Wildfire smoke across Canada has turned the sky orange.
????????????pic.twitter.com/T2hRF6dd28
Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të SHBA-së (NOAA), paralajmërimet shtrihen në rajonin e Mesperëndimit të Sipërm, zonën e Liqeneve të Mëdha dhe deri në verilindje të vendit.
Në pjesën perëndimore të shtetit të Nju Jorkut, cilësia e ajrit është vlerësuar si "shumë e dëmshme", niveli i dytë më i lartë i rrezikut pas kategorisë "e rrezikshme", ndërsa në zonën metropolitane të Nju Jorkut ajri konsiderohet "i dëmshëm".
Të mërkurën, autoritetet e Nju Jorkut zgjeruan planin e emergjencës për valën e të nxehtit dhe aktivizuan protokollet për ndotjen e ajrit, duke vënë në dispozicion të qytetarëve qindra qendra me ajër të kondicionuar dhe maska mbrojtëse.
Në provincën kanadeze të Ontarios priten stuhi në ditët e ardhshme, por meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të mos jenë të mjaftueshme për të ndihmuar zjarrfikësit në luftën me flakët.
Parashikimet tregojnë se erërat veriperëndimore do të vazhdojnë ta transportojnë tymin drejt shteteve veriore të SHBA-së edhe gjatë fundjavës, duke rritur shqetësimet se ai mund të arrijë deri në Nju Xhersi, ku të dielën është planifikuar të zhvillohet finalja e Kupës së Botës.
Megjithatë, një ndryshim i drejtimit të erës nga dita e hënë pritet ta zhvendosë tymin drejt Kebekut, duke sjellë një përmirësim gradual të cilësisë së ajrit në zonat jugore të Shteteve të Bashkuara.
Lini një Përgjigje