TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Qershor 2026, 19:12

Rama këmbëngul: Irani ka dorë te protestat, po shfrytëzon revoltën për të goditur Shqipërinë

Shkruar nga Pamfleti
Rama këmbëngul: Irani ka dorë te protestat, po shfrytëzon
Rama duke u larguar

Kryeministri përsëriti akuzat për përfshirje iraniane në protestat kundër projektit në Sazan dhe Zvërnec, duke argumentuar se Tirana po përballet me një fushatë të organizuar që synon destabilizimin e vendit.

Kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur se pas protestave që prej ditësh po zhvillohen kundër projektit në Sazan dhe Zvërnec fshihen interesa të tjera, duke përmendur sërish Iranin si një nga aktorët që, sipas tij, po përpiqen të shfrytëzojnë revoltën qytetare.

Gjatë fjalës së mbajtur në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, Rama deklaroi se vendet armiqësore përdorin pakënaqësitë reale të qytetarëve për të nxitur destabilizim dhe për të goditur interesat e Shqipërisë.

Arma e tyre është shfrytëzimi i protestave bio, i mërzive, i sëkëlldive, i alarmeve bio. Dhe pastaj e dinë ata se çfarë bëjnë. Duhet të jesh idiot të mohosh përfshirjen e një vendi armik, i vetmi vend armik, jo se e kemi shpallur ne, por sepse ka tentuar të shkatërrojë infrastrukturën dixhitale të Shqipërisë, që është Republika Islamike e Iranit”, deklaroi Rama.

Kryeministri solli si argument edhe deklaratat e zyrtarëve iranianë kundër tij, duke thënë se kjo tregon interesimin e Teheranit për zhvillimet politike në Shqipëri.

Duhet të jesh idiot të thuash se Irani nuk ka asnjë punë kur vetë zëdhënësi i qeverisë iraniane thotë ‘Rama ik’. Nuk është si fijet që priten. Problemi është se si dikush tjetër shfrytëzon sinqeritetin tënd për ta bërë çorap vendin tënd”, u shpreh ai.

Rama argumentoi se protestat nuk po shfrytëzohen vetëm nga aktorë politikë, por edhe nga interesa ekonomike që, sipas tij, ndihen të kërcënuara nga rritja e turizmit shqiptar.

Si shpjegohet që është hedhur përpjetë gjithë dynjaja që ka të bëjë me turizmin? Sepse jemi futur në territorin e një konkurrence të ashpër me ata që kanë vite që e dominojnë këtë treg”, tha kryeministri.

Kjo nuk është hera e parë që Rama lidh protestat me ndikime të huaja. Edhe në ditët e fundit ai ka folur për tentativa manipulimi dhe për fushata të organizuara që, sipas tij, synojnë të deformojnë debatin publik rreth projektit në Sazan dhe Zvërnec.

Megjithatë, deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të forta nga protestuesit dhe kundërshtarët politikë, të cilët kanë mohuar çdo lidhje me interesa të huaja dhe këmbëngulin se protesta është një lëvizje qytetare kundër projektit të qeverisë.

Pavarësisht kritikave, Rama duket i vendosur të mbajë të njëjtën linjë, duke argumentuar se pas revoltës qytetare po përpiqen të përfitojnë aktorë të ndryshëm politikë, ekonomikë dhe gjeopolitikë.

rama irani

Lini një Përgjigje