TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Prill 2026, 16:15

Vdekja e 19-vjeçares në Greqi, publikohen pamjet kur e reja nxirret pa ndjenja nga hoteli

Shkruar nga Pamfleti

Vdekja e 19-vjeçares në Greqi, publikohen pamjet kur e reja nxirret

Janë publikuar pamjet nga momenti kur një 26-vjeçar, ish-peshëngritës, nxjerr një 19-vjeçare pa ndjenja nga dhoma e një hoteli në Kefalonia, në një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.

Sipas regjistrimeve nga kamerat e sigurisë, i riu shihet duke e mbajtur vajzën pa ndjenja në krahë dhe duke dalë me nxitim nga ambientet e hotelit. Më pas, ai dyshohet se e ka braktisur në një zonë publike pranë, rreth orës 04:30 të mëngjesit. Pas këtij momenti, autoritetet dyshojnë se ai, në bashkëpunim me një tjetër person të arrestuar, ka tentuar të fshehë gjurmët e ngjarjes.

Sipas dëshmisë së partnerit 23-vjeçar të vajzës, të rinjtë kishin konsumuar kokainë dhe në një moment 19-vjeçarja ishte ndjerë keq. Ai ka deklaruar se 26-vjeçari e mori në krahë dhe e çoi në një park aty pranë, ku më pas u gjet nga shërbimet e emergjencës.

Personat e përfshirë kanë njoftuar ambulancën, por janë larguar sapo ajo ka mbërritur, duke pretenduar para ekipeve të shpëtimit se nuk e njihnin vajzën. Një tjetër person ka qëndruar në dhomë deri rreth orës 05:15 dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas të dhënave, dy të rinjtë dyshohet se kanë marrë edhe sendet personale të 19-vjeçares, përfshirë celularin, në përpjekje për të fshehur provat. Më vonë, njëri prej tyre është vetëdorëzuar në polici pas konsultimit me avokatin, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen.

Vdekja e 19-vjeçares Myrto në Kefalonia dyshohet se ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak, sipas ekspertizës paraprake mjeko-ligjore. Megjithatë, shkaku i saktë mbetet ende i paqartë dhe pritet të përcaktohet nga analizat toksikologjike.

Ngjarja është në fokusin e autoriteteve greke, ndërsa mediat vendase kanë publikuar edhe një foto nga vendi ku e reja u gjet pa ndjenja në orët e para të së martës së Pashkëve. Bëhet fjalë për sheshin qendror të Argostolit, përballë hotelit ku ajo qëndronte me tre të rinj, të moshës 23, 26 dhe 22 vjeç.

Vdekja e 19-vjeçares në Greqi, publikohen pamjet kur e reja nxirret
Vendi ku e braktisën Myrton 19-vjeçare

Sipas të dhënave të policisë, 19-vjeçarja kishte shkuar në hotel rreth mesnatës së të hënës së Pashkëve së bashku me një 23-vjeçar. Rreth orës 02:00, ajo dyshohet se ka konsumuar kokainë, ndërsa më pas në dhomë ka mbërritur edhe një 26-vjeçar, i cili solli lëndën narkotike dhe e përdori bashkë me ta.

Pas një ore, 26-vjeçari është larguar dhe është rikthyer me një sasi tjetër, këtë herë i shoqëruar nga një 22-vjeçar shqiptar, i cili sipas burimeve policore nuk kishte konsumuar drogë.

Në një moment, 19-vjeçarja ka humbur ndjenjat. Sipas hetimeve, pas ngjarjes, 23-vjeçari është rikthyer në dhomë dhe ka pastruar ambientin ku dyshohet se ishte konsumuar kokaina, ndërsa gjithashtu ka fshehur celularin e saj.

Policia greke ka konfirmuar arrestimin e tre të rinjve, të cilët akuzohen për veprën penale “ekspozim ndaj rrezikut”. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë e secilit prej të përfshirëve.

Lini një Përgjigje