
Një operacion i gjerë antidrogë i SPAK ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, e drejtuar nga i shumëkërkuari Jetmir Pepa (Marashi).
Gazetarja Klodjana Lala zbuloi detaje në një intervistë për “News 24”. Ajo tha se janë arrestuar 4 persona dhe 6 të tjerë janë në kërkim, ndërsa vetë Pepa rezulton se ndodhet jashtë vendit prej disa muajsh. Sipas saj, operacioni ka çuar në një nga sekuestrimet më të mëdha të pasurive të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
“Janë 231 pasuri të sekuestruara në total. Jo vetëm të Pepës, por edhe të shoqërive të lidhura me të, të shtrira në disa qytete të vendit”, u shpreh Lala.
Ajo theksoi se këto pasuri përfshijnë një gamë të gjerë asetesh, nga biznese deri te kriptovalutat.
“Ka biznese, hotele, qendra estetike, sipërfaqe toke, apartamente, njësi tregtare, llogari bankare, automjete luksoze dhe edhe kriptovaluta”, deklaroi gazetarja.
Sipas Lalës, hetimet janë mbështetur edhe në komunikime të zbërthyera nga platforma SKY ECC, të cilat kanë ndihmuar në dokumentimin e aktivitetit kriminal.
“Pas zbërthimit të komunikimeve nga SKY ECC janë zbuluar episode të trafikut të drogës dhe kokainës nga vitet 2021-2024 jashtë vendit”, tha ajo.
Gazetarja shtoi se, ndonëse emri i Pepës nuk ka qenë shumë i njohur në Shqipëri, aktiviteti i tij dyshohet të ketë qenë i gjerë.
“Në Shqipëri nuk ishte shumë i njohur, përveç një rasti të përplasjes së dy vajzave të showbizzit, ku u lakua edhe emri i tij”, u shpreh Lala, duke shtuar se “shumica e parave sillej në Shqipëri dhe investohej në pasuri dhe biznese”. Ajo theksoi se paratë e përfituara nga trafiku janë ricikluar në forma të ndryshme.
“Paratë janë investuar kryesisht në ndërtime, biznese, por edhe janë shndërruar në kriptomonedha”, deklaroi ajo.
Në lidhje me hetimet, Lala bëri me dije se ato janë ende në zhvillim dhe mund të ketë zhvillime të tjera.
“Deri tani nuk ka informacione për efektivë policie të përfshirë, por hetimet janë në proces”, tha ajo.
Ndërkohë, për personat në kërkim, ajo shtoi se dyshohet se një pjesë e tyre mund të jenë ende në vend.
“Janë edhe 6 persona të kërkuar që besohet se janë brenda vendit, përveç rasteve kur mund të jenë larguar me identitete të rreme”, përfundoi gazetarja.
Lini një Përgjigje