Një grup kriminal shqiptar është dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi përdorte platformën online të pasurive të paluajtshme Rightmove për të identifikuar dhe përzgjedhur prona luksoze si objektiva grabitjeje.
Banda, e përbërë nga gjashtë persona, dyshohet se ka kryer të paktën 59 vjedhje në zonën e Cheshire-it lindor, duke përvetësuar bizhuteri dhe sende të markave të njohura me vlerë deri në 3 milionë paund. Ata përdornin shkallë për të hyrë në katet e para të banesave, duke synuar kryesisht prona të izoluara pranë zonave rurale apo pyjore për të lehtësuar largimin.
Sipas hetimeve, një nga anëtarët, Endrit Nikolli, kishte krijuar një lidhje me shtetasen britanike Jade Tubb, e cila e kishte krahasuar marrëdhënien e tyre me çiftin e njohur kriminal Bonnie and Clyde.
Në këtë aktivitet kriminal ishin të përfshirë edhe Kristian Gropcaj (30 vjeç), George Pepa (31 vjeç), Krisjian Dedndreaj (28 vjeç) dhe Sidorjan Lleshi (26 vjeç). Gjykatësi Patrick Thompson theksoi se objektivat zgjidheshin me kujdes për shkak të mundësisë për të gjetur sende me vlerë, ndërsa grabitjet kryheshin kryesisht gjatë natës, shpesh kur banorët ndodheshin brenda, duke shkaktuar jo vetëm dëme materiale, por edhe pasoja psikologjike, veçanërisht tek fëmijët.
Hetimi nisi në tetor 2024 dhe u zhvillua nga disa struktura policore britanike, përfshirë Cheshire Police, në bashkëpunim me forcat e Derbyshire, Nottinghamshire dhe Staffordshire.
Gjatë operacioneve policore u sekuestruan dhjetëra sende luksoze, përfshirë 13 çanta firmato dhe 14 ora dore, si dhe telefona celularë me qindra fotografi të sendeve të vjedhura.
Sipas kryeinspektorit Dave Worthington, grupi përdorte Google dhe Rightmove për të analizuar strukturën e pronave dhe për të zgjedhur objektivat më të favorshme.
Në përfundim të procesit gjyqësor:
Kristian Gropcaj u dënua me 10 vjet burg
Krisjian Dedndreaj dhe George Pepa me nga 9 vjet burg secili
Sidorjan Lleshi me 10 vjet e 9 muaj burg
Jade Tubb u dënua me 1 vit burg, me pezullim për 2 vjet
Autoritetet britanike kanë bërë thirrje publike për të identifikuar pronarët e sendeve të dyshuara të vjedhura, pasi dyshohet se një pjesë e konsiderueshme e tyre është shitur.
Lini një Përgjigje