Një operacion antidrogë i policisë italiane në qytetin e Pratos ka çuar në pranga tre persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, të dyshuar për drejtimin e një rrjeti trafikimi të lëndëve narkotike.
Aksioni u zhvillua dy ditë më parë dhe u sekuestruan rreth 84 kilogramë kanabis, i ndarë në qindra paketime. Sasia e drogës arrin një vlerë tregu deri në 1 milion euro.
Në pranga ranë një italian 30 vjeç me precedentë penalë, një shqiptar 31 vjeç dhe një maroken 20 vjeç. Dy të fundit rezultojnë me qëndrim të rregullt në Itali dhe pa precedentë kriminalë.
Sipas hetimit, droga u transportua drejt qytetit me një furgon të përshtatur me ndarje të fshehtë. Policia kishte vënë nën vëzhgim lëvizjet e dyshimta dhe konstatoi një takim të organizuar mes mjeteve në një zonë periferike, larg rrugëve kryesore.
Pasi dy automjetet ndaluan në një zonë të rrethuar nga bimësia dhe të mbuluar nga errësira, agjentët që ishin kamufluar në bimësi, vëzhguan operacionet e shkëmbimit midis tre personave, të cilët, pasi u siguruan se nuk po vëreheshin, filluan ta transferonin ngarkesën në makinë.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi një mekanizëm të fshehtë në furgon ku ishte vendosur pjesa më e madhe e drogës. Një pjesë tjetër ishte shpërndarë më herët.
Operacioni çoi gjithashtu në sekuestrimin e 4,295 eurove cash dhe disa telefonave celularë që dyshohet se janë përdorur për koordinimin e aktivitetit.
Të arrestuarit u dërguan në burgun “La Dogaia” në Prato, ku pritet të përballen me procedurat gjyqësore.
Lini një Përgjigje